Tregu i sigurimeve po rritet me ritme më të larta për vitin 2025. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu i sigurimeve për 9-mujorin 2025 arriti një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 20.2 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 10.4%. Një vit më parë, në fund të 9-mujorit, rritja kishte qenë 7.4%.

Pjesërisht, përmirësimi i rritjes së tregut i detyrohet një efekti më të reduktuar të kursit të këmbimit, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e produkteve të sigurimit shiten në Euro. Sipas AMF-së, në gjysmën e parë të vitit pesha e primeve të shkruara bruto në euro kundrejt totalit u rrit në 31.4%, nga 33.2% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, edhe zhvlerësimi i Euros këtë vit është më i ngadalësuar. Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Euro-Lek është në rënie me afërsisht 2%, ndërsa një vit më parë rënia ishte pranë nivelit të 7%.

Në nivel të segmenteve të tregut, tregu i sigurimit të jetës vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes krahasuar me segmentin më të madh, të sigurimit të jo-jetës.

Për 9-mujorin, primet e shkruara bruto u rritën me 13.5% krahasuar me një vit më parë (një vit më parë rritja kishte qenë 9.2%).

Tregu i sigurimeve të Jetës vazhdon të mbështetet gjerësisht te sigurimi i jetës së debitorit. Ky produkt sjell pothuajse 83% të volumit total të primeve të shkruara bruto. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare. Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë afatgjatë. Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme.

Rritja e tregut të sigurimeve është më e ngadaltë në segmentin e tij më të madh, atë të sigurimeve të jo-jetës. Primet e shkruara bruto për 9-mujorin 2025 arritën vlerën e 18.5 miliardë lekëve, në rritje me 10.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, edhe në këtë segment rritja është përmirësuar nga norma prej 7.2% e vitit të kaluar.

Tregu i sigurimeve të jo-jetës vazhdon të mbështetet kryesisht te sigurimet e detyrueshme motorike. Këto produkte sollën më shumë se 67% të primeve të shkruara bruto për 9-mujorin 2025. Primet e shkruara bruto u rritën me afërsisht 13%, të mbështetura kryesisht nga sigurimi i brendshëm TPL.

Pjesërisht, rritja e primeve të shkruara bruto i detyrohet sistemit të ri të kkogaritjes së primeve mbi bazë risku, që ka sjellë një shtrenjtim mesatar të primit të sigurimit me afërsisht 6%.

Rritje dyshifrore këtë vit po shfaqin edhe produkte të veçanta të sigurimit vullnetar, kryesisht sigurimi Kasko i automjeteve. Primet e shkruara bruto për këtë produkt janë rritur me pothuajse 11% krahasuar me një vit më parë, të mbështetura sidomos nga zgjerimi i biznesit të makinave me qira.

Rritje të lartë po shënojnë edhe sigurimi i sëmundjeve dhe sigurimi i përgjegjësive civile.

Ndërsa sigurimi i pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, që është edhe produkti kryesor i sigurimit vullnetar, edhe këtë vit po shënon një rritje modeste. Sipas shifrave të AMF-së, primet e shkruara bruto për 9-mujorin kishin vlerën e 1.89 miliardë lekëve, me një rritje prej 4% krahasuar me një vit më parë./Monitor.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu