
Një ngjarje tronditëse kriminale ka tronditur opinionin publik në Mat dhe në të gjithë vendin. 23-vjeçari Renis Dobra u rrëmbye, u torturua dhe më pas u vra brutalisht më 8 korrik në fshatin Zenisht, për t’u hedhur më pas bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit. Trupi i pajetë i tij u gjet më 9 korrik, pas kallëzimit të babait për zhdukjen e të birit.
Hetimi i Policisë dhe Prokurorisë Dibër ka çuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes, në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëfajësia”.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë Dibër, Artion Duka, dhe drejtuesi i Prokurorisë, Abaz Muçaj, deklaruan se në pranga kanë rënë dy persona:
- Fatjon Bushgjoka, 34 vjeç, i arrestuar në zonën e Astirit, Tiranë;
- Petrit Çakrri, 55 vjeç, banues në Tropojë, i arrestuar në Kukës.
Në kërkim janë shpallur dy vëllezërit e Fatjonit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të dy banues në Kamzë, të cilët dyshohet se janë larguar në Kosovë menjëherë pas ngjarjes, me ndihmën e njërit prej të afërmve.
RENIS DOBRA, viktimë e një hakmarrjeje për pazare droge në Gjermani?
Sipas hetimeve, Dobra ka qenë më parë i dënuar në Gjermani për trafik narkotikësh. Autoritetet dyshojnë se konflikti me vëllezërit Bushgjoka dhe bashkëpunëtorët e tyre lidhej me mosmarrëveshje për shpërndarjen e fitimeve nga kjo veprimtari kriminale.
Plani për eliminimin e 23-vjeçarit ishte i mirëmenduar: autorët e kishin vëzhguar për disa ditë në zonën e Burrelit. Mbrëmjen e 8 korrikut, ata e morën peng dhe më pas e mbytën me litar. Trupi u hodh në një zonë buzë liqenit të Shkopetit, bashkë me makinën e tij tip “Benz”, e cila përfundoi në liqen, ndërsa trupi mbeti pranë sektorit “C”.
Makina me qira, tentativa për të shmangur gjurmët dhe sekuestrime të rëndësishme
Autorët përdorën mjete të marra me qira në zonat e Rinasit dhe Yzberishtit, të cilat i ndërruan disa herë për të humbur gjurmët. Sidoqoftë, policia ka siguruar pamje filmike që dokumentojnë momentet kur autorët ndiqnin makinën e viktimës. Po ashtu, tentativat për të çaktivizuar pajisjet GPS në makinat me qira dështuan.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar 20 celularë, 7 automjete, një shumë e konsiderueshme eurosh, një sasi kokaine, dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.
Kush është Petrit Çakrri – dëshmitar okular i vrasjes së Azem Hajdarit?
Një nga të arrestuarit, Petrit Çakrri, rezulton të jetë emër i njohur për drejtësinë. Ai ka qenë një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari në vitin 1998. Ndërkohë, Fatjon Bushgjoka ka një të kaluar kriminale të ngarkuar, me precedentë penalë për vjedhje, shpërndarje droge dhe armëmbajtje pa leje, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Në 2019, ai u arratis nga burgu i Rrogozhinës.
Policia e Dibrës: Hetimet vijojnë për identifikimin e porositësve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë
Policia njofton se hetimet vazhdojnë intensivisht për të zbardhur nëse vrasja e Dobrës është kryer për llogari të ndonjë porositësi tjetër të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Po hetohet gjithashtu për përgjegjësinë penale të të gjithë personave që kanë ndihmuar në organizimin e krimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër i bën thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me strukturat ligjzbatuese dhe të denoncojnë çdo veprim kriminal apo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e autorëve ende në kërkim.