
Tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan, mesditën e së dielës.
Policia e Kosovës njoftoi fillimisht se dy viktima u gjetën pa shenja jete në vendin e ngjarjes, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ndërsa dy të plagosur u dërguan për trajtim në emergjencën e qytetit. Më vonë, Spitali i Gjilanit konfirmoi se në vendin e ngjarjes ishte vetëm një viktimë, ndërsa dy persona të tjerë u sollën në spital pa shenja jete.
Një person i plagosur u transferua për trajtim në QKUK, ndërsa një tjetër u shtrua në repartin e Ortopedisë. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
I dyshuari për këtë ngjarje të rëndë është identifikuar si Mefail Shkodra. Policia e Kosovës ka shpallur atë në kërkim dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion për vendndodhjen e tij të kontaktojnë në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192 dhe 03850807001.
Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë hetimore dhe prokurori i shtetit. Policia ka paralajmëruar konferencë për media në orën 18:00.