Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre mjekët stomatologë, Roland Xhaxho, Ina Xhaxho dhe Marta Gina, të akuzuar për vrasje nga pakujdesia të një fëmije 3-vjeçar pas një ndërhyrjeje dentare të kryer në vitin 2023. Ata përballen gjithashtu me akuzën e mashtrimit në bashkëpunim, ndërsa Ina Xhaxho akuzohet edhe për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm. Në dosje përfshihen edhe ekspertët mjeko-ligjorë Elton Serani dhe Erindo Alla për “shpërdorim detyre”, si dhe mjekët e Pediatrisë Durim Sala dhe Vladimir Hoxha për neglizhencë në trajtimin mjekësor; të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Sipas hetimeve, ndërhyrja në klinikën “Splendent” dyshohet se shkaktoi një shok septik dhe më pas insuficiencë të shumë organeve, që çuan në vdekjen e të miturit disa ditë më vonë te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ekspertiza evidentoi shkelje të rënda të protokolleve mjekësore, mungesë të kontrolleve para operacionit, diagnozë të pasaktë dhe përdorim të zgjatur të anestezisë për një procedurë më të gjerë se sa lejohej për moshën e fëmijës. Hetimi zbuloi gjithashtu se prindërit ishin tarifuar për trajtime që nuk ishin kryer plotësisht, ndërsa pas ngjarjes një nga mjeket kishte vijuar aktivitetin pa licencë të rinovuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu