
Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore u qëlluan pasditen e së mërkurës në qendër të Washington DC, vetëm pak metra larg Shtëpisë së Bardhë. Sipas autoriteteve, të dy janë në gjendje kritike në spital.
Incidenti ndodhi rreth orës 14:15 me kohën lokale, ndërsa gardistët po kryenin patrullime sigurie (“high visibility patrols”). Sipas policisë, një person iu afrua atyre, ngriti armën dhe hapi zjarr. Pas një shkëmbimi zjarri, autorët e rendit arritën ta neutralizojnë dhe ta vënë në pranga të dyshuarin, i cili raportohet se është plagosur rëndë.
Dyshimet e para: sulm i qëllimshëm ndaj gardistëve
Burime i thanë CNN se i dyshuari “dukej se i kishte vënë në shënjestër” dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare. Autori nuk ka bashkëpunuar me hetuesit dhe nuk kishte asnjë dokument identifikimi me vete.
FBI e ka marrë zyrtarisht përsipër hetimin dhe ngjarja po trajtohet si “sulm ndaj një oficeri federal”.
Reagimet e autoriteteve amerikane
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi ngjarjen “akt të tmerrshëm” dhe bëri thirrje për lutje për të plagosurit.
Kryebashkiakja e DC-së, Muriel Bowser, konfirmoi gjendjen kritike të gardistëve dhe falënderoi ekipet që reaguan menjëherë.
Presidenti Donald Trump deklaroi se sulmuesi “do të paguajë një çmim shumë të rëndë”, ndërsa theksoi se të plagosurit janë “luftëtarë të guximshëm”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, falënderoi Gardën Kombëtare për “punën heroike për të mbajtur kryeqytetin të sigurt”.
Ndërkohë, liderët demokratë Chuck Schumer dhe Hakeem Jeffries dënuan me ashpërsi dhunën dhe kërkuan lutje për të plagosurit.
Perimetri i zonës i bllokuar – ndërprerje edhe në aeroportin Reagan
Zona pranë Farragut West Metro u rrethua plotësisht, ndërsa dhjetëra oficerë, njësi speciale dhe agjentë federalë u vendosën në skenën e krimit. Aeroporti kombëtar Reagan ndaloi për rreth 19 minuta të gjitha fluturimet për t’i hapur rrugë helikopterëve mjekësorë (medevac) të cilët transportuan një nga viktimat.
Zyrtarët: Nuk ka të dyshuar të tjerë
Policia metropolitane konfirmoi se nuk ka sinjale për një autor të dytë dhe se situata është nën kontroll.
Hetimet për motivin e sulmit janë në fazat e para, ndërsa gjendja e dy gardistëve mbetet kritike.




