
Tre avionë luftarakë amerikanë F-15E Strike Eagle janë rrëzuar si pasojë e një incidenti të dyshuar “friendly fire”, pasi u goditën gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit. Lajmi është konfirmuar nga Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM).
Sipas njoftimit zyrtar, incidenti ndodhi gjatë operacioneve aktive luftarake, që përfshinin sulme nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë. Avionët amerikanë po fluturonin në mbështetje të operacionit ushtarak kundër Iranit, të koduar “Operation Epic Fury”.
“Gjatë operacioneve aktive, avionët e Forcave Ajrore të SHBA-së u qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit. Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë, janë rikuperuar me sukses dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Autoritetet kuvajtiane kanë pranuar incidentin, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim. Ministri i Mbrojtjes i Kuvajtit konfirmoi në orët e para të së hënës se “disa” avionë amerikanë u rrëzuan gjatë operacionit.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, mes përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
.






