Tre shtetas amerikanë – dy ushtarë të ushtrisë së SHBA-së dhe një përkthyes civil – kanë humbur jetën në Siri si pasojë e një sulmi të armatosur të kryer nga një militant i Shtetit Islamik (ISIS), ka bërë të ditur Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM).

Sipas autoriteteve amerikane, sulmi ndodhi në qytetin Palmyra, në qendër të Sirisë, gjatë një misioni të përbashkët, ku trupat amerikane po zhvillonin një aktivitet të quajtur “engagement me drejtues kyç”. Militanti i ISIS-it i cili kreu sulmin u neutralizua dhe u vra gjatë përplasjes.

Nga sulmi mbetën të plagosur edhe tre ushtarakë të tjerë amerikanë, ndërsa raportohet se dy pjesëtarë të forcave siriane u lënduan gjithashtu. Gjendja shëndetësore e të plagosurve amerikanë është e qëndrueshme.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi ashpër përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm të ISIS-it kundër SHBA-së dhe Sirisë” dhe paralajmëroi një “hakmarrje shumë serioze”. Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se çdo sulm ndaj amerikanëve do të ketë pasoja të rënda, duke theksuar se SHBA do të ndjekë dhe eliminojë këdo që kërcënon jetën e shtetasve të saj.

Qeveria siriane ka dënuar zyrtarisht sulmin dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. Edhe ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, deklaroi se Siria mbetet e angazhuar në luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin. Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa identiteti i viktimave amerikane do të bëhet publik pas njoftimit të familjarëve të tyre.

SHBA mban trupa ushtarake në Siri që prej vitit 2015, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, i cili, megjithëse ka humbur territorin që kontrollonte, vijon të mbetet aktiv me qeliza dhe sulme sporadike në rajon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu