Shërbimi i lavaderisë për 3 vitet e ardhme parashikohet të kushtojë të paktën 2.2 milionë euro për Spitalin Universitar të Traumës.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara çeli këtë të hënë procedurën duke specifikuar shërbimin që do të duhet të japë kompania private sa i takon kësaj kontrate.
“Operatori ekonomik kontraktues, do të ofrojë shërbimin e tij, nga procesi i lavanderisë deri tek kompletimi me inventarin e materialit të butë të shtratit të pacientit dhe mjekut roje (shtrimin/ndërrimin e materialeve në shtratin e pacientit/shtratin e mjekut roje).
Operatori Ekonomik duhet të sigurojë të gjithë materialin e butë të nevojshëm për një kompletim të rregullt, të të gjithë shtretërve që ka aktualisht SUT dhe në qofte se do të ketë ndryshim të numrit të shtretërve gjatë zbatimit të Marrëveshjes Kuadër.
Numri i shtretërve mbi të cilin do të llogaritet aktiviteti spitalor në SUT është 323”, thuhet në dokumentet e procedurës.
Sipas specifikimeve në numrin total të shtretërve përfshihen: shtretër për pacientët të cilët marrin shërbim në Urgjencën e SUT-së; shtretër për pacientët të cilët hospitalizohen, shtretërit në të cilët pushojnë mjekët e shërbimit të rojes.
Gjithsesi në dokumente përcaktohet se numri i shtretërve është i ndryshueshëm në varësi të investimeve që janë parashikuar të kryhen në SUT në tre vitet në vazhdim.
OE duhet të marrin si referencë këtë numër në mënyrë që të parashikojnë saktë kostot e shërbimit, të punonjësve që do të kryejnë shërbimin si dhe kostot e materialeve të buta (investimit që do të kryhet gjatë tre viteve).
“Operatori Ekonomik është i detyruar të disponojë të gjitha kapacitetet larëse, dezinfektuese, tharëse, hekurosëse dhe paketuese në lavanderinë e tij jashtë territorit të SUT.
Operatori Ekonomik duhet të sigurojë materialin e butë për zëvendësim nëse është i amortizuar gjatë gjithë periudhës kohore të vlefshmërisë së kontratës.
Operatori Ekonomik do të lajë, të dezinfektojë, të thajë, të paketojë, të transportojë dhe të shpërndajë në pavion bazën e materialit të butë si dhe të bëjë shërbimin e plotë të shtratit të pacientit/mjek roje” thuhet në dokument.
Sakaq sipas përcaktimeve larja dhe dezinfektimi, në repartin e lavanderisë do të bëhet në mënyre të përqendruar, duke respektuar të gjitha procedurat dhe protokollet e higjienës, nga marrja në dorëzim e materialit të butë të papastër të ndarë sipas nëndarjeve dhe zonave të rrezikshmërisë (thasët me ngjyrë), te dorëzimi i materialit të butë, të larë, të hekurosur dhe të paketuar sipas këtyre protokolleve, deri në shtrimin e shtratit të pacientit sipas protokolleve infermierore. Pjesë e këtij procesi është edhe sigurimi i pastrimit të plotë kimik-mekanik, në temperaturat e duhura, dhe i procesit të hekurosjes”.
Dokumentet sqarojnë se ndërrimi i shtratit të pacientit do të bëhet çdo tre dite ose dy herë në javë, si dhe në çdo rast që kërkohet nga kryeinfermieri i pavionit/shërbimit, si pasoje e shtrimit te pacienteve te rinj(me hapjen e kartelës klinike), ose ne rastet kur ndryshimi i shtratit behet i domosdoshëm për te ruajtur dhe mbrojtur shëndetin e pacientit. RevistaMonitor