Kryeministri Edi Rama në konferencën ndërkombëtare Walk21, ku në edicionin e saj të 25-të janë mbledhur ekspertë nga gjithë bota për të ndarë përvoja dhe ide mbi mënyrat më të mira për të zhvilluar dhe zbatuar politika që e bëjnë ecjen zgjedhjen e përditshme të jetës urbane.

Në nisje të fjalës së tij, ai deklaroi se këtë vit numri i turistëve do të shkojë në më shumë se 12 milionë.

“Është kënaqësi e vërtetë të numërosh 54 shtete në këtë sallë të vogël dhe t’i uroj mirëseardhjen në këtë qytet që 54 vjet më parë ishte një vend krejt i ndryshëm, ku nuk lejohej asnjë makinë private, ku numri i përgjithshëm i makinave që qarkullonin ishte rreth 5 mijë në të gjithë vendin. Ku numri i turistëve që vizitonin vendin ishte mesatarisht 2 mijë në vit.

Ndërkohë që këtë vit ne do të shkojmë përtej 12 milionëshit. Pas rënies së atij sistemi, njerëzit e panë hapësirën publike si hapësirë për tu zënë, hapësirë për u privatizuar. Në gjithë atë periudhë dëshirash individuale të shtypura të cilat lulëzuan dhe dolën në sipërfaqe duke zënë të gjitha hapësirat publike, duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme kudo ku ishte e mundur dhe duke eliminuar praktikisht çdo hapësirë të gjelbër që shihni sot“, u shpreh Rama, duke bërë një krahasim të vendit tonë sot, me atë të periudhës së komunizmit.

“Përveç liqenit, që ishte, dhe shumicës së pemëve aty, ajo që ishte sot nuk ishte, çdo metër katror gjelbërim u mbulua dhe u varros nën mijëra e mijëra ndërtesa të paligjshme. Lumi që kalonte përmes qytetit nuk ishte më i dukshëm sepse në të dyja anët, ishin të zëna me vija kaq të gjata ndërtesash dhe 90% fjalë për fjalë e pemëve që shihni sot në rrugët e qytetit, nuk ishin”, tha kreu i qeverisë, duke kujtuar kohën para se të zgjidhej kryebashkiak i Tiranës, në vitin 2000.

Tha se kur mori detyrën, u shembën më shumë se 10 mijë ndërtesa në Tiranë dhe se vetëm nga lumi i Lanës u mblodhën 132 mijë ton beton nga rrënojat e tyre.

Më tej, theksoi se u mbollën plot 55 mijë pemë.

U ndal edhe te aksioni i qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

“Kemi çelur një kapitull të ri për heqjen e strukturave të përkohshme, kafenetë që kanë uzurpuar trotuaret”, tha ai.

Vlen të theksojmë se konferenca Walk21 vjen për herë të parë në Ballkan!

Nga data 6-10 tetor 2025, kryeqyteti shqiptar do të jetë mikpritës i edicionit të 25-të Walk21 Tirana, konferenca më e madhe ndërkombëtare kushtuar ecjes dhe komuniteteve të jetueshme, organizuar nga Bashkia e Tiranës, në partneritet me GIZ dhe Walk21 Foundation.

Tirana i bashkohet kështu rrjetit të qyteteve që po udhëheqin lëvizjen globale për më shumë ecje dhe më pak ndotje.

Konferenca ka mbledhur në Tiranë më shumë se 500 pjesëmarrës nga mbi 50 shtete, urbanistë, drejtues politikash, ekspertë të transportit, studiues, aktivistë dhe përfaqësues të qeverive vendore për të diskutuar mbi mënyrat si qytetet mund të bëhen më miqësore për këmbësorët dhe më të shëndetshme.

Tirana është përzgjedhur si qytet mikpritës falë kulturës së fortë të ecjes.

“Xhiroja” e mbrëmjes, si traditë e përbashkët e brezave, por edhe fakti që mbi 75% e qytetarëve ecin çdo ditë për të arritur në destinacion, e kanë bërë kryeqytetin shqiptar shembull të rrallë për jetesën urbane aktive në Europë.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu