Një 6-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar në spitalin e Lushnjës. Fëmija u paraqit në spitalin e Lushnjës rreth orës 14:00, ndërsa prej gjashtë ditësh, mjekohej në kushte shtëpie nën kujdesin e gjyshërve.
Sipas mjekëve, i mituri vuante nga bronkopneumonia bilaterale. Pasi i janë bërë analizat, duke parë gjendjen e rënduar të tij, stafi i mjekëve vendosën ta dërgojnë për trajtim më të specializuar në Tiranë, por fëmija ka humbur jetën sapo ka hyrë në ambulancë. Sipas bluzave të bardha, i mituri ka humbur jetën nga arresti kardiak si pasojë e sëmundjes së mëparshme.
Aleksandër Rustani kishte mbërritur në spital në orën 14:20 minuta me ambulancën e Divjakës. Mjekët kanë thënë se ai ka mbërritur në gjëndje të rëndë dhe është asistuar në repartin e pediatrisë nga mjeku roje dhe personeli i infermierisë.
Pasi i është dhënë ndihma e parë u kartelizua dhe u morën analizat dhe dhe në orën 16:00 është bërë vlerësimi nga konsulta me diagnozën bronkopneomonia bilaterale difuze, insuficienca respiratore akute.
U vendos që fëmija të nisej me urgjencë në QSUT. U përgatit ambulanca, në pritje të mbërritjes së gjyshit, sepse mamaja dhe fëmija refuzonin të shkonin në Tiranë pa gjyshin. Gjatë gjithë kohës, fëmija ka qenë nën mbikëqyrjen dhe trajtimin e mjekëve.
Në orën 17:00, fëmija është zbritur për në ambulancë, e cila do ta shoqëronte për në Tiranë. Ambulanca ishte e pajisur me oksigjen, i cili iu aplikua pacientit. Në këtë moment, fëmija pati të vjella dhe humbi ndjenjat.
Mjeku pediatër, që do ta shoqëronte për në Tiranë, u përpoq ta reanimonte duke bërë masazh kardiak. Fëmija u kthye në urgjencë, në dhomën e shokut, ku reanimimi vazhdoi nga mjekët gjatë gjithë kohës. Por, për shkak të gjendjes së rënduar, fëmija nuk ia doli.
Vdekja u konstatua në orën 17:20.