Elbasan, 18 Korrik 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Labinot-Fushë në Elbasan, ku dy vëllezër të mitur, të moshës 7 dhe 9 vjeç, kanë humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u mbytën në lumin Shkumbin.

Sipas informacioneve paraprake nga Policia, dyshohet se fëmijët janë mbytur aksidentalisht ndërsa ndodheshin pranë lumit për të ruajtur bagëtitë bashkë me familjarët. Një gropë e krijuar pranë një prite pranë hidrocentralit dyshohet të ketë qenë vendi fatal ku ata humbën jetën.

Një i afërm i familjes Bica, në një rrëfim prekës për mediat, ka treguar momentet dramatike kur u gjetën trupat:

“I kishte parë roja i hidrocentralit. Njërin fëmijë e kishte polici në krah, ja mora unë dhe i bëra frymëmarrje artificiale, por nuk jepte reagim. Pash nënën që përplasej, të atin nuk e di ku shkonte. Kanë bagëtitë, me ato mbahen. Më tutje është bërë një gropë e madhe në ujë, aty i kishte zënë rrjedha”, u shpreh ai.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, grupi hetimor dhe mjekët ligjorë. Trupat e pajetë të të miturve janë transportuar për ekspertizë.

Ngjarja ka sjellë trishtim dhe revoltë në komunitetin lokal, ndërsa fqinjët dhe të afërmit janë mbledhur pranë familjes për të dhënë ndihmën e tyre dhe për të shprehur ngushëllimet.

Një banor i zonës u shpreh:

“Ngushëllime familjes. Me bagëti kanë qenë këtej. Fatkeqësi e madhe, më tronditëse nuk ka më.”

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa ngrihet sërish shqetësimi për mungesën e masave të sigurisë pranë zonave ujore, sidomos gjatë verës kur fëmijët janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu