Tenerife, Ishujt Kanarie – Bilanci i viktimave nga dallgët e fuqishme që goditën bregdetin jugor të Tenerife-s ka shkuar në katër persona, pasi autoritetet konfirmuan vdekjen e një burri që ishte në gjendje kritike.

Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në zonën e njohur të Los Gigantes, një pishinë natyrore shumë e frekuentuar nga turistët, ku disa pushues u surprizuan nga dallgë anormale dhe det i trazuar.

Sipas mediave spanjolle dhe Qendrës së Koordinimit të Emergjencave (CECOES), viktima e fundit u nxor nga uji në arrest kardiorespirator, u transportua me helikopter drejt spitalit Hospital de la Candelaria, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Alarmi ishte dhënë rreth orës 16:00, kur shërbimet e emergjencës u njoftuan për disa persona të marrë nga dallgët në një zonë rreth 200 metra larg pikëvëzhgimit Isla Cangrejo, në komunën turistike të Santiago del Teide.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin afrimin në zona shkëmbore dhe pishina natyrore gjatë kushteve të motit të paqëndrueshëm, duke paralajmëruar se dallgët oqeanike në Ishujt Kanarie mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme, edhe kur moti duket i qetë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu