
Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy gjinekologë pas humbjes tragjike të një foshnje gjatë lindjes në Maternitetin “Koço Gliozheni”. Ata akuzohen për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
Hetimet nisën pas denoncimit të nënës, A.Z., ndërsa organi i akuzës sqaron se mjekja që monitoronte shtatzëninë dhe mjeku roje nuk respektuan detyrimet profesionale, duke lejuar një proces lindjeje të rrezikshëm që përfundoi me vdekjen e foshnjës.
Ekspertiza mjeko-ligjore tregon se vdekja erdhi si pasojë e dëmtimeve të rënda nga përdorimi i forcepsit, mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira. Sipas ekspertëve, dëmtimet që shkaktuan shok traumatik hemorragjik tek foshnja nuk ishin rezultat i një komplikacioni të paparashikueshëm, por mungesë e ndërhyrjes në kohë, pasi lindja duhet të ishte bërë me cezarian sipas planit paraprak.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota të mjekëve të përfshirë.