
Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në qytetin Lucca të Italisë, ku katër anëtarë kanë humbur jetën si pasojë e dyshuar e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre. Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët e familjes, 22 dhe 15 vjeç, ndërsa një person i pestë – vëllai i kryefamiljarit – ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 shkurtit dhe dyshohet se shkak ka qenë një defekt në kaldajën e shtëpisë trekatëshe. Alarmin e dha familjari i pestë, i cili njoftoi karabinierët pasi nuk mori përgjigje nga brenda banesës. Forcat e rendit u detyruan të thyenin derën dhe u përballën me një skenë dramatike, duke gjetur katër trupat e pajetë në dysheme.
Gjatë ndërhyrjes, edhe dy karabinierë pësuan intoksikim të lehtë nga monoksidi i karbonit, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet bëjnë me dije se tryeza ishte e shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për darkë kur ndodhi tragjedia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat.






