
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot pasditen zonën e Shkallnurit, në Durrës, ku një 25-vjeçar dyshohet se ka vrarë babanë e tij me thikë, në banesën e familjes.
Sipas informacionit paraprak nga policia, autori i dyshuar, shtetasi M. K., 25 vjeç, dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Viktima është P. K., 69 vjeç, i cili ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërsa pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe po zhvillojnë kontrolle intensive për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është ende në arrati.
Në vendngjarje ndodhet edhe grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.







