Një incident i rëndë ka ndodhur në Oqeanin Indian, ku një anije e marinës iraniane është fundosur pranë brigjeve të Sri Lankës, ndërsa rreth 140 persona rezultojnë të zhdukur.

Sipas autoriteteve të Sri Lankës, anija luftarake iraniane “IRIS Dena” dërgoi një sinjal emergjence në orët e para të mëngjesit. Marina e vendit ndërhyri menjëherë për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Nga 180 persona që besohet se ndodheshin në bord, deri tani janë shpëtuar 32, ndërsa dhjetëra të tjerë vazhdojnë të kërkohen në det.

Zëdhënësi i marinës së Sri Lankës bëri të ditur se ekipet e shpëtimit gjetën persona që notonin në ujë, njolla nafte dhe gomone shpëtimi, ndërsa anija vetë nuk ishte më e dukshme në momentin e mbërritjes së tyre.

Shkaku i fundosjes së anijes mbetet ende i paqartë. Autoritetet kanë mohuar raportimet se incidenti mund të jetë shkaktuar nga një sulm nëndetëseje, duke theksuar se hetimet janë ende në fazë fillestare.

Ngjarja ndodh në një moment shumë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku përplasjet mes Iranit, Izraelit dhe aleatëve të tyre po përshkallëzohen çdo ditë, me sulme ajrore, raketa dhe dronë në disa vende të rajonit.

Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit në det vijojnë, ndërsa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë mbeten të hapura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu