
Një ortek dëbore fatal ka goditur malin Cima Vertana në Alpet Ortler të Italisë, duke shkaktuar vdekjen e pesë alpinistëve gjermanë, përfshirë një vajzë 17-vjeçare dhe babanë e saj.
Sipas shërbimit të shpëtimit malor italian, Soccorso Alpino e Speleologico, ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 16:00 me orën lokale, ndërsa disa grupe alpinistësh po ngjiteshin në majën Vertainspitze (3,545 metra), pjesë e zinxhirit të Dolomiteve.
Një grup prej tre personash u përfshi plotësisht nga orteku dhe humbi jetën në vend. Dy viktimat e tjera, babë e bijë, u morën nga dëbora dhe trupat e tyre u gjetën të dielën paradite, pasi moti dhe mjegulla kishin pezulluar kërkimet gjatë natës.
Dy alpinistë të tjerë arritën të mbijetojnë dhe lëshuan alarmin, duke njoftuar autoritetet. Për shkak të mjegullës dhe kushteve të rrezikshme, helikopterët nuk mund të ngriheshin në mëngjes, por më vonë, me përmirësimin e motit, njësi shpëtimi dhe qen kërkimi për ortekë nga ajri deri në 2,600 metra lartësi për të rifilluar operacionin.
Zëdhënësi i shërbimit të shpëtimit të Sulden-it, Olaf Reinstadler, tha për mediat gjermane se orteku mund të jetë shkaktuar nga rrëshqitja e dëborës së re mbi akullin e vjetër, që nuk ishte lidhur mirë me shtresat poshtë saj. Ai shtoi se kushtet e motit ishin të mira, por ngjitja në orët e vona mund të ketë shtuar rrezikun, pasi zbritja do të zgjaste deri në mbrëmje.
Shërbimi alpin publikoi gjithashtu një hartë të vendit të ngjarjes, ku tregohet rruga e ortekut që mori përpara grupet e alpinistëve.
Kjo ngjarje është një tjetër kujtesë tragjike e rreziqeve që mbart ngjitja në male edhe kur moti duket i qetë dhe i përshtatshëm për eksplorim.




