Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, duke arrestuar në flagrancë një 27-vjeçar dhe sekuestruar 12 pistoleta Glock me municion luftarak.

Operacioni policor i koduar “Barriera” u finalizua pas disa javësh hetimesh me metoda proaktive, në bashkëpunim mes specialistëve të Komisariatit Nr. 4, Forcës Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

I riu u ndalua në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, pasi policia lokalizoi automjetin tip “Volkswagen” që ai drejtonte. Gjatë kontrollit, nën kofanon e mjetit u zbuluan 10 pistoleta Glock, ndërsa më pas u sekuestruan edhe 2 armë të tjera, duke e çuar totalin në 12.

Nga hetimet paraprake rezulton se armët ishin destinuar për t’u shitur në zonën e Freskut në Tiranë.

Autoritetet bëjnë me dije se strukturat hetimore po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar të trafikimit të armëve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu