
Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka thyer heshtjen dhe ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat e Kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili e akuzoi për një “puç” të orkestruar pas zgjedhjeve të vitit 2016, duke “manipuluar” prova dhe me ndërhyrje ruse në garën elektorale.
Zyra e Obamës, në një reagim zyrtar, i quan deklaratat e Trump-it “budallallëqe të vazhdueshme dhe dezinformim”, ndërsa i cilësoi akuzat “të pabesueshme dhe përpjekje të dobët për të shpërqendruar opinionin publik”.
Deklarata iu referua edhe raportit prej 11 faqesh të Tulsi Gabbard, drejtoreshë e inteligjencës kombëtare, e cila pretendoi ekzistencën e një “komploti tradhtie” mes zyrtarëve të sigurisë së Obamës dhe rekomandoi fillimin e hetimeve penale.
Ekspertët e inteligjencës dhe raportet e pavarura, përfshirë atë të Senatit amerikan të vitit 2020, konfirmojnë se Rusia ka tentuar të ndikojë në zgjedhjet e 2016-ës, por nuk ka manipuluar votat në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Gjatë një takimi me presidentin e Filipineve, Donald Trump e quajti Obamën “udhëheqësin e bandës” që orkestroi “puçin”, duke e cilësuar atë si “tradhtar” dhe fajtor për “vjedhjen” e zgjedhjeve.
Megjithatë, raporti i Gabbard është kritikuar për keqinterpretime dhe përzierje të qëllimshme të fakteve për të diskredituar përfundimet e komunitetit të inteligjencës lidhur me ndërhyrjen ruse.
Një ish-analist i CIA-së, Fulton Armstrong, e përshkroi raportin si një “përpjekje politike për konfuzion dhe manipulim”./tvklan