Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, duke folur në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Italia në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan i ofroi Partisë Demokratike të marrin pjesë së bashku në takime me emigrantët.
Ai iu përgjigj një ankese të Koordinatores së Opozitës për Diasporën, Jozefina Topalli, në të njëjtin emision, se ka shumë njerëz në takimet e Partisë Socialiste.
“Madje do isha shumë i gatshëm që në këto takime të shkonim bashkë, edhe Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dhe t’u flisnim shqiptarëve, por të mos bënim ato turpet që bën partia e zonjës Topalli, që kur ne mblidhemi në një takim për të diskutuar me bashkatdhetarët dërgojnë “diversantë” aty për të prishur takimin. Do isha shumë krenar që ne këtu të ishim bashkë, të gjithë. Dhe t’u flisnim pastaj shqiptarëve në Itali, shqiptarëve të Amerikës, shqiptarëve të Greqisë, të votojnë siç thatë ju, për kë duan ata!”
Balla foli për ndryshimet që duhen bërë pa humbur kohë, për të pasur sa më shpejt listën e kandidatëve dhe propozoi që ato të jenë gati në të njëjtën kohë me mbylljen e afatit të regjistrimit të diasporës në fillim të marsit.
“Kemi dy gjëra që duhet t’i zgjidhim sapo të kthehemi të hënën në kuvend, një që ka të bëjë me ndryshimin e afateve të regjistrimit të kandidatëve për t’i mundësuar KQZ që të bëjë gati fletën e votimit në kohë. Me kodin aktual nëse nuk e ndryshojmë i bie në datë 21 mars duhet të depozitohen kandidatët. Kjo dëmton afatin e dorëzimit të fletëve të votimit. E mira do të ishte që ky proces të mbyllej në të njëjtën kohë, pra në 4 mars kur mbyllet regjistrimi, të mbyllej dhe depozitimi i kandidatëve,” deklaroi Balla.
Balla tha se Partia Socialiste ka meritën që e bëri të mundur këtë proces historik dhe është forca politike që në Shqipëri e ka barazuar votën e diasporës me atë të shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve, pa u humbur lidhjen me qytetin e lindjes. Ndër të tjera tha se Partia Socialiste po punon edhe në Britaninë e Madhe që shqiptarët e regjistruar si shtetas të Kosovës të rifitojnë identitetin e tyre.
“Partia Socialiste prej shumë vitesh ka strukturat e veta në diasporë, që komunikojnë, kanë përfaqësi të diasporës. Jemi e vetmja parti politike që ndër vite kemi pasur në strukturat tona drejtuese në të gjitha nivelet përfaqësuesit e diasporës. Dhe unë besoj që jo vetëm që diaspora është një gjyqtar i paanshëm dhe që di të gjykojë realisht progresin e dukshëm të Shqipërisë në gjithë këto vite, por ne kemi bërë edhe një zgjidhje që unë kam qenë partizan i kësaj zgjidhjeje, ne jemi ndër vendet e pakta që kemi barazuar vlerën e votës të qytetarit që jeton në Shqipëri me qytetarin që jeton jashtë. P.sh. Italia ku ndodhem ka një pabarazi të theksuar, të gjithë italianët jashtë mund të votojnë vetëm për 5 deputetë, ndërsa çdo shqiptar që jeton jashtë ka të njëjtën vlerë vote me atë që është në Shqipëri. Dhe po ashtu kemi ditur të ruajmë edhe lidhjen që ka bashkatdhetari ynë: je nga Kukësi do votosh për listën e Kukësit.”
Balla foli direkt nga Ankona në Itali ku ndodhet në cilësinë e Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Diasporën dhe po takohet me bashkatdhetarët duke i informuar për procesin e regjistrimit dhe ofertën socialiste. Ai tha se në këto zgjedhje pret një pjesëmarrje prej 200 mijë votuesish nga diaspora shqiptare.