Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu zhvilloi një takim me anëtarë të tjerë të Parlamentit Europian, përfshirë Marco Tarquinio, bashkë-kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, si dhe Raporterin e PE për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Në takim u theksua përkushtimi i ndërsjellë për forcimin e dialogut politik dhe përparimin e vendit në rrugën e integrimit evropian.
Ministri Gogu vlerësoi rolin jetik të anëtarëve të PE për procesin e integrimit europian, si deputetë por edhe si miq të Shqipërisë. Ai theksoi përpjekjet titanike të qeverisë me parlamentin për të çuar përpara reformat dhe arritur piketat afatmesme të integrimit.
Ministri Gogu theksoi se nuk do të humbet asnjë minutë në agjendën europiane të Shqipërisë pas besimit të dhënë nga shqiptarët në zgjedhjet e këtij viti.
“Nuk do të humbim asnjë sekondë për t’u shfokusuar nga agjenda europiane. Ambicia jonë është e madhe për masën e madhe të ligjeve që duhen miratuar për të qenë gati për vitin 2027.”
Ai shtoi se me opozitën ndajmë destinacionin europian të Shqipërisë edhe pse jo mënyrën për të arritur atje.
“Ne do merremi me standardet dhe se si arrihen ato standarde por jo me individët.”
Ministri shtoi se parlamenti tashmë ka ngritur dy komisione shumëpartiake me opozitën, atë të reformës zgjedhore dhe atë për reformën territoriale.
Ministri Gogu ritheksoi bindjen se parlamenti i përket opozitës, përfshi për të kritikuar politikat e qeverisë, por jo për të vënë në shënjestër drejtues institucionesh.
“Opozita mendon se i bën nder reformës në drejtësi duke i bërë gjyqin një kryeprokurori.”
Ministri Gogu nënvizoi rolin qendror të Kuvendit në ecurinë e negociatave me BE-në dhe në mbikëqyrjen e reformave që garantojnë transparencë dhe legjitimitet demokratik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu