
Pas përfundimit të seancës plenare, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, doli në një deklaratë për gazetarët ku kërkoi ndjesë publike në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve për incidentin e ndodhur gjatë debatit për ligjin “Për Barazinë Gjinore dhe Mosdiskriminimin”.
Gogu e cilësoi gjuhën e përdorur nga kreu i opozitës si “stigmatizuese ndaj ambasadorit të Komisionit Europian për shkak të cilësive të tij personale”, duke theksuar se ajo përfaqëson “kulminacionin e një ideologjie të re që nuk ka lidhje me vlerat europiane”.
“Ligji për barazinë gjinore është një akt tërësisht i pastër ligjor, në zemër të së drejtës europiane. Ai nuk është ideologjik, por na përafron me dhjetë direktivat e Bashkimit Europian,” – tha Gogu, duke shtuar se nisma synon barazinë mes burrave dhe grave në paga, përfaqësim dhe vendimmarrje publike.
Ministri theksoi se ligji nuk shpik gjini të reja, siç ka pretenduar opozita, por garanton mbrojtje nga diskriminimi për çdo qytetar, pavarësisht gjinisë, racës, besimit apo prejardhjes.
“I garantoj shqiptarët që ky është një ligj europian, që reflekton vlerat tona dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor,” – tha ai.
Sa i përket protestave jashtë Kuvendit, Gogu tha se ato janë “një e drejtë kushtetuese”, por nënvizoi se besimet fetare nuk mund të përdoren si armë politike:
“Kulminacioni i ligjit është dashuria. Dashuria e plotëson ligjin. Nuk mund të përdorësh as Biblën, as Kuranin si çekan kundër njerëzve. Ne i duam njerëzit, por me ligj i mbrojmë.”
Në fund, Gogu iu referua edhe deklaratës së Berishës, duke e akuzuar për mungesë ndjese dhe për përhapje të një gjuhe diskriminuese:
“Nuk kishte asnjë pikë ndjese, sepse jo vetëm që nuk u tërhoq nga diskriminimi i orientimit seksual, por hyri edhe në diskriminimin e shëndetit mendor. Nga diskriminim seksual, shkoi në diskriminim të shëndetit mendor.”
Ministri konfirmoi se Partia Socialiste do të vijojë aksionin për integrimin europian, duke paralajmëruar se “në javët në vijim Kuvendi do të shqyrtojë një sërë ligjesh të tjera që përafrojnë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian.”






