![]](https://aia.al/wp-content/uploads/2025/05/unnamed-file.jpg)
Nga qyteti i Sarandës, kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, u bëri thirrje qytetarëve që t’i besojnë PSD-së në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar si forca e vetme me një program të qartë social në mbështetje të pensionistëve dhe shtresave në nevojë. “Unë e dua pushtetin për t’ju shërbyer ju, të varfërve, të mos mungojnë ilaçet,” – deklaroi Doshi, duke theksuar se PSD është tashmë forca e tretë politike në vend dhe do të mbetet e tillë edhe pas zgjedhjeve.
Ai vuri në dukje se qytetarët i kanë shprehur vazhdimisht besimin e tyre, madje shumë prej tyre do të votonin vetëm për shkak të angazhimit të tij. Ndërsa foli për problemet kronike të Sarandës – mungesën e ujit të pijshëm, çështjet e pronës dhe legalizimet – Doshi u shpreh se politikanët e deritanishëm nuk kanë treguar ndjeshmëri ndaj halleve të qytetarëve.
Duke iu drejtuar veçanërisht komunitetit të ardhur nga veriu i vendit dhe diasporës, Doshi tha se kjo është java e fundit e fushatës dhe bëri apel për angazhim të gjerë për të mbështetur PSD-në si një parti që, sipas tij, di të respektojë dhe ndihmojë çdo qytetar, kudo që jeton.
Takimet e tij elektorale do të vijojnë me intensitet në ditët e mbetura të fushatës në të gjithë vendin.