
Në ndeshjen kualifikuese të Shqipërisë ndaj Letonisë, që po zhvillohet sot në “Air Albania”, bie në sy mungesa e Tifozëve Kuq e Zi (TKZ), grupimit më të madh të mbështetësve të Kombëtares.
TKZ kanë shpallur sot bojkotin e tyre, duke mos u vendosur pas portave, aty ku tradicionalisht krijonin atmosferën më të zjarrtë. Në një deklaratë publike, ata akuzuan Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) se i ka përjashtuar qëllimisht për herë të katërt radhazi, duke i “margjinalizuar dhe stigmatizuar” për arsye politike.
“Ky përjashtim nuk ka të bëjë me sjellje, por me qëndrimin tonë. Ne patëm guximin të themi JO bashkëorganizimit të Kampionatit Europian U21 me Serbinë. Për këtë jemi ndëshkuar,” – shprehen TKZ.
Ata u kanë bërë thirrje tifozëve të tjerë shqiptarë të mos marrin pjesë në ndeshjen ndaj Letonisë, duke e konsideruar këtë një protestë kundër drejtimit të futbollit shqiptar.
Atmosfera në “Air Albania” është dukshëm ndryshe, pasi mungon zëri i tribunave të kuqezi, që prej vitesh kanë qenë shtylla kryesore e mbështetjes për Kombëtaren.