Topografi Luigj Paloka ka rënë në prangat e Policisë së Lezhës. 83-vjeçari është dënuar me pesë vite burg nga Apeli i GJKKO për tre vepra penale: “Shpërdorimi i tokës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas gjykatës, Luigj Paloka është përfshirë në dosjen hetimore për tjetërsimin e pronave në Lezhë, mes emrave të 11 zyrtarëve të akuzuar. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66,000 m² tokë në disa zona bregdetare të Lezhës, me një vlerë të përllogaritur rreth 13 milionë euro.

Dokumentet dhe dëshmitë false të origjinës së pronës, të lëshuara nga topografë të papërgjegjshëm, kanë hapur konflikte e probleme të shumta, sidomos për shkak të mbivendosjes së titujve të pronësisë.

Ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një fenomeni të thellë të abuzimit me dokumentacionin e pronave, i cili ka ndikuar ndjeshëm në pasigurinë juridike të qytetarëve dhe investitorëve.

Në zonat bregdetare, veçanërisht në jug të vendit, dhjetëra dosje gjyqësore janë në shqyrtim për shkak të këtyre manipulimeve, që kanë krijuar pasiguri mbi pronësinë, kanë penguar zhvillimin e ligjshëm të turizmit dhe kanë ushqyer korrupsionin institucional në nivelet vendore dhe qendrore.

Rasti i Palokës hedh dritë mbi rolin kritik të specialistëve të tokës dhe rëndësinë e mbikëqyrjes së veprimtarisë së tyre./Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu