Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht kushtet për krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët mes shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. dhe një partneri privat, me qëllim prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm si dhe dronëve. Vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama.

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që shoqëria “KAYO” të jetë pjesë aktive në negociata me subjektin privat, duke garantuar një pjesëmarrje të paktën 20% në strukturën aksionare të shoqërisë së re. Ajo do të kontribuojë gjithashtu me pasuri të paluajtshme prej të paktën 5000 m², që do të jepen në përdorim, pa të drejtë tjetërsimi apo transferimi.

Investim minimal 50 milionë euro dhe objektiv për eksport

Partneriteti kërkon nga investitori privat një kontribut financiar minimal prej 50 milionë euro, së bashku me linja teknologjike të prodhimit apo montimit të armëve dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të sigurisë.

Në fokus do të jetë jo vetëm prodhimi për përdorim të brendshëm, por edhe zhvillimi i një rrjeti ndërkombëtar për eksportimin e produkteve ushtarake të shoqërisë së re.

Kontrolli dhe siguria mbeten në dorë të shtetit

Në marrëveshjen e re, “KAYO” mban të drejtën për të caktuar të paktën 40% të anëtarëve të Këshillit Drejtues ose Mbikëqyrës dhe ka të drejtë vetoje për çështje strategjike, sipas ligjit nr.88/2024. Po ashtu, emërimi i administratorëve të shoqërisë së re kërkon dakordësinë e saj.

Siguria fizike e personelit dhe e infrastrukturës do të garantohet nga Forcat e Armatosura, në përputhje me ligjin për komandimin dhe drejtimin e FA-së.

Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një industrie vendase të mbrojtjes dhe teknologjive ushtarake në Shqipëri, në bashkëpunim me sektorin privat dhe sipas standardeve ligjore dhe ndërkombëtare.

Vendimi është publikuar tashmë në “Fletoren Zyrtare” dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu