Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me një qëndrim të fortë në rrjetet sociale, duke ngritur pyetjen se përse ende Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar një rezolutë të përbashkët për të denoncuar, siç e quan ai, shkeljet e procesit të rregullt ligjor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas Ramës, kjo rezolutë duhet të ishte inicuar pa dallime politike, duke evidentuar shkeljet që, sipas tij, përbëjnë një goditje të rëndë ndaj normave demokratike dhe të drejtave themelore.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës,” shkruan Rama.

Ai shton se nëse Kosova ndërmerr këtë hap, Kuvendi i Shqipërisë do të angazhohet menjëherë për të miratuar të njëjtin tekst, duke e përcjellë mesazhin në instanca ndërkombëtare.

“Ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin,” thekson kryeministri.

Ky reagim vjen në një kohë kur çështja e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka shkaktuar reagime të vazhdueshme në opinionin publik dhe skenën politike në Kosovë e Shqipëri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu