
Policia identifikoi shtetasin që goditi me qytën e një arme zjarri, një 40-vjeçar, gjatë një konflikti në një lokal, për motive të dobëta, dhe po punon intensivisht për kapjen e tij.
Nga hetimet dyshohet se 51-vjeçari qëlloi një herë, me armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk pati shtetas të dëmtuar.
Në pranga 8 shtetasit e përfshirë në konflikt, mes tyre, 40-vjeçari që u dëmtua lehtë.
Gjendet në vendgjarje arma e zjarrit pistoletë, dhe sekuestrohet bashkë me celularët e të arrestuarve dhe me prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Menjëherë pas njoftimit, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e përgjegjësve.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe:
-u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 51 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka goditur me qytën e një arme zjarri, shtetasin K. S.(P.), 40 vjeç, i cili u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Vijon intensivisht puna për kapjen e këtij shtetasi;
-u identifikuan dhe u arrestuan 8 shtetasit e përfshirë në konflikt: K. S. (P.), 40 vjeç, E. A., 43 vjeç, E. R., 39 vjeç, B. T., 24 vjeç, E. T., 35 vjeç, D. T., 30 vjeç, E. S., 47 vjeç dhe K. S., 53 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.