
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka denoncuar publikisht këtë të mërkurë dhunën e ushtruar ndaj një fëmije 14 vjeç, pranë zonës së Kodrës së Liqenit Tiranë, nga punonjës policie.
Në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thuhet se shtetasit me inicialet O.Z dhe E.G. kane njoftuar se më datë 12.04.2025 pranë zonës së Kodrës së Liqenit Tiranë, djali i tyre J.G ishte ndaluar nga punonjësit e Policisë të Komisariatit Nr. 1, Tiranë për shkak se ishte kapur duke hedhur kapsolla.
“Në ankesën e tyre ata pretendonin se ndaj djalit të tyre punonjësit e policisë kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike”,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Për verifikimin e kësaj ankese, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se dërgoi në Komisariatin Nr. 1. dy vëzhgues, të cilët thonë se në Raportin e Shoqërimit shënohej se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë dhe se në dokumentacionin e kqyrur nuk rezulton që 14-vjeçari të jetë vizituar nga mjeku.
“Fakti i mësipërm u mohua nga punonjësit e policisë. Megjithëse në raportin e përmendur më lart ishte shënuar hematoma, nuk rezultoi që i mituri të ishte vizituar nga mjeku i Komisariatit, në kundërshtim me parashikimet e Kreut IV, të Procedurës Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre””,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Me kërkesën e prindërve që shkuan në Komisariat menjëherë mbas njoftimit, u njoftua urgjenca e Spitalit të Traumës.
“Në regjistrin përkatës ishte shënuar fakti i mësipërm. I mituri u shoqërua në Spitalin e Traumës, në datë 12.04.2025, ora 20:00”,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Sipas epikrizës përcjellëse mjekësore që i është dërguar KShH-së nga prindërit e të miturit diagnoza është: Contuzion capitis, goditje me grushta. Të ndiqet nga mjeku i familjes për pushim dhe rikontroll sipas sistemit të referimit.
Për më tepër, Komiteti Shqiptar i Helsinkit pretendon se vëzhguesit e saj kanë konstatuar se në Regjistrin e të dhënave të personave të shoqëruar të mitur, kishte korrigjime në oraret e shënuara, në emrin e psikologes dhe oficerit të policisë gjyqësore.
“Në fakt psikologia M.T nuk kishte marrë takim me të miturin J.G në Komisariat, por vetëm në ambientet e Spitalit të Traumës. Nga kjo del se emri i psikologes në regjistrin e Komisariatit ishte shënuar më vonë”,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Konkluzionet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
Duke pasur parasysh faktet e mësipërme arrihet në përfundimin se i mituri J.G është dhunuar, gjë që ka qenë evidente jo vetëm me shikimin vizual, por edhe në epikrizën mjekësore të Spitalit të Traumes. Veç kësaj punonjësit e policisë megjithëse kanë bërë shënimet në regjistër për hematomën, meqë mohuan ushtrimin e dhunës ndaj tij nuk e dërguan atë për vizitë tek mjeku. I mituri u dërgua në spital vetëm me insistimin e prindërve.
Në rastin e përmendur më lart në Komisariatin e Policisë Nr. 1, të miturit J.G nuk i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore dhe psikologjike duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 34, pika 1, gërma ç dhe pikën 1 të nenit 35 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 10, 14, 18 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, ku bëhet fjalë për parimin e interesit më të lartë të fëmijës, asistencën e psikologut si dhe përdorimin e masave alternative të shmangies.
Ndërkohë që prindërit e shtetasit të mitur, më datë 13.04.2025 kanë depozituar një kallëzim pranë Agjensisë së Mbikqyrjes Policore si dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, KShH i bën thirrje institucioneve përgjegjëse ta hetojnë këtë rast me përparësi dhe seriozitet, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen./shqiptarja