Policia e Tiranës ka sekuestruar një automjet luksoz tip “Lamborghini Urus”, të regjistruar në emër të një kompanie, por që dyshohet se përdorej nga Sahit Shpataj, 34 vjeç, një person me precedentë të shumtë penalë, mes tyre vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.

Por kush është Sahit Shpataj?

Emri i tij është i njohur për strukturat e rendit prej më shumë se një dekade. Një nga episodet më të bujshme është regjistruar në vitin 2014, kur Shpataj u arrestua si autor i disa ngjarjeve të rënda. Ai prezantohej si punonjës policie dhe ndalonte çifte apo drejtues automjetesh, kryesisht në zonën e Kthesës së Kamzës.

Sipas hetimeve të kohës, ai përdorte një uniformë policie dhe një pistoletë, me të cilën i kërcënonte viktimat për të marrë para dhe sende me vlerë. Arrestimi i tij ndodhi pikërisht gjatë një prej këtyre skemave, kur u kap i veshur me uniformë policie dhe i armatosur. Në atë kohë ishte vetëm 23 vjeç.

Ndër vite, Shpataj ka qenë i përfshirë në episode të tjera me natyrë të dhunshme dhe kundërshtime ndaj Policisë, ndërsa aktualisht është në hetim për pasuri të dyshuara me origjinë kriminale. Sekuestrimi i Lamborghini Urus me vlerë rreth 160 mijë euro është pjesë e operacionit të koduar “Manovra”, i zhvilluar nga Policia e Tiranës dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”.

Hetimet vijojnë për të identifikuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të Shpatajt që dyshohet se janë përfituar nga aktivitet kriminal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu