Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse, ka vijuar operacionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme. Një tjetër rast u finalizua në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, ku një hapësirë publike e bllokuar prej kohësh nga një familje, u lirua me ndërhyrjen e forcave të rendit.

Hapësira ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari, i cili u arrestua një javë më parë, ndërsa sot ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për djalin e tij, 25-vjeçarin E. D.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi B. D., 67 vjeç, dhe familjarët e tij e kishin zënë këtë hapësirë në mënyrë të përsëritur, duke vendosur blloqe betoni dhe automjete, dhe duke penguar banorët e zonës të parkonin. Ata gjithashtu ishin përfshirë në konflikte të vazhdueshme me fqinjët.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se familja kishte falsifikuar dokumente për të pretenduar pronësinë mbi hapësirën publike. Për këtë arsye, ndaj tyre janë ngritur akuzat për “Falsifikim dokumentesh”, “Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësi” dhe “Kanosje”.

Operacioni për lirimin e hapësirës u realizua nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e DVP Tiranë dhe strukturat bashkiake të mirëmbajtjes.

Gjatë ndërhyrjes, u hoqën blloqet e betonit, ndërsa më herët ishin sekuestruar edhe dy automjete që ndodheshin në këtë hapësirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu