
Policia e Tiranës ka vijuar me veprimet intensive hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Thoma Filipeu”, në zonën e Freskut, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar.
Si rezultat i hetimeve, është identifikuar autori i dyshuar i plagosjes dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Autori i dyshuar, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, është arrestuar në flagrancë një prej bashkëpunëtorëve, shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori tjetër, A. G., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata dyshohet se kanë ndihmuar autorin e plagosjes të largohet nga vendngjarja.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.