Katër persona janë arrestuar në flagrancë dhe shtatë të tjerë janë proceduar penalisht, pas përplasjeve të dhunshme të ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, i organizuar nga Partia Demokratike. Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, disa nga pjesëmarrësit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke hedhur drejt tyre lëndë djegëse artizanale (molotovë).

Ngjarja ka ndodhur më 22 dhjetor 2025, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit. Si pasojë e akteve të dhunës, tre punonjës policie mbetën të dëmtuar dhe u transportuan në spital, ku morën ndihmën mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore të kryera pas tubimit, u identifikuan gjithsej 11 shtetas të dyshuar për veprime të kundërligjshme. Në vijim, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. K., 39 vjeç, E. S., 36 vjeç, Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasit B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B., si dhe për një 16-vjeçar.

Po ashtu, materialet hetimore iu referuan Prokurorisë edhe për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike. Ai po hetohet pasi, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të tubimit, dyshohet se nuk ka zbatuar detyrimet ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tij, sipas ligjit nr. 8773 “Për tubimet”, neni 10.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Tiranës për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu