
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar për një sërë masash kufizuese në qarkullimin rrugor, me rastin e organizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës “Bread & Heart Festival”, që do të zhvillohet në kryeqytet më datë 5 dhe 6 qershor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 22:00 e datës 05.06.2025 deri në orën 23:30 të datës 06.06.2025, do të bllokohen disa segmente rrugore në qendër të Tiranës:
- Nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme me Bashkinë e Tiranës;
- Rruga “Myslym Shyri”;
- Rruga “Ibrahim Rugova”;
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga rruga “Abdi Toptani” deri te rruga “George W. Bush”.
Gjithashtu, do të pezullohen përkohësisht edhe vendqëndrimet e autobusëve në rrugën “28 Nëntori”, pas godinës së Teatrit të Operas dhe Baletit.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e këtyre masave, që kanë për qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbarëvajtjen e aktivitetit kulturor.