
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) kanë ndërmarrë një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme përreth stadiumit “Arena Kombëtare”.
Gjatë operacionit u konstatuan raste të zënies së trotuareve dhe vendkalimeve për këmbësorë me tavolina, çadra dhe ulëse nga shtatë lokale, të cilat ushtronin aktivitet ekonomik pa leje përkatëse. Si rezultat, u sekuestruan rreth 330 objekte, që shërbenin për zënien e hapësirave publike.
Policia referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal në gjendje të lirë për 7 administratorë biznesesh: A. S., N. R., Xh. B., M. S., K. M., L. L. dhe B. K., të dyshuar për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi F. P., 40 vjeç, i cili punonte në njërin prej lokaleve dhe kundërshtoi punonjësit e IMT-së gjatë detyrës së tyre.
Policia njofton se kontrollet në terren do të vijojnë, me qëllim garantimin e rendit urban, lirimin e hapësirave publike për qytetarët dhe vënien përpara përgjegjësisë të çdo shkelësi.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.