Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka dërguar një letër zyrtare Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Burgjeve, ku kërkon që kryebashkiaku Erion Veliaj të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit, e cila do të mbahet të premten, më 21 nëntor 2025, në orën 10:00.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt dhe prej atij momenti nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të Këshillit Bashkiak. Në kërkesë, Këshilli thekson se pjesëmarrja e tij është një e drejtë e garantuar me ligj dhe kërkon që, nëse nuk është e mundur fizikisht, kryebashkiaku të lejohet të marrë pjesë online.

Letra vjen pas zhvillimeve të fundit të bujshme në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku kryebashkiaku u shkarkua me votat e shumicës së socialistëve dhe demokratëve. Më pas, vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të reja për datën 9 nëntor u anulua nga Gjykata Kushtetuese, e cila e riktheu Veliajn në detyrë.

Tashmë pritet që SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve të vendosin nëse do të lejojnë pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e radhës.

Letra e plotë e Këshillit Bashkiak drejtuar institucioneve:

Këshilli Bashkiak i Tiranës, duke iu referuar detyrimeve ligjore dhe nevojës për funksionim të rregullt institucional, kërkon mundësimin e pjesëmarrjes së kryetarit të Bashkisë Tiranë në mbledhjen e së premtes. Në argumentimin ligjor, Këshilli citon Ligjin 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, sipas të cilit kryebashkiaku ka të drejtë të marrë pjesë dhe të raportojë para Këshillit (neni 58, pika 4), si dhe të bashkëpunojë me organin kolegjial për çështje të interesit publik (neni 60).

Këshilli argumenton se pjesëmarrja e Veliajt është e domosdoshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit vendor. Për këtë arsye, i kërkohet SPAK-ut dhe Burgjeve:

– të lejojnë pjesëmarrjen e përkohshme fizike të Veliajt
ose
– të mundësojnë pjesëmarrjen e tij online nëpërmjet videokonferencës ose një forme tjetër të përshtatshme komunikimi.

Këshilli Bashkiak shprehet i gatshëm të respektojë të gjitha kërkesat e sigurisë dhe protokollit, duke kërkuar një përgjigje me shkrim sa më parë, për të garantuar funksionimin normal institucional dhe të drejtën e kryebashkiakut për t’u paraqitur dhe raportuar para Këshillit.

Vendimi i institucioneve pritet të merret në ditët në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu