
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Adresa”, i cili kishte në fokus goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga Spanja, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.
Gjatë aksionit, u arrestua në flagrancë një 20-vjeçar, E. P., banues në Kamzë, i cili u kap në një degë postare në kryeqytet, në momentin që po tërhiqte një pako me 593 gramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC.
Sipas Policisë së Shtetit, hetimet e deritanishme kanë çuar edhe në identifikimin e porositësit të kësaj sasie droge, B. C., 38 vjeç, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa po vijojnë operacionet për kapjen e tij.
“Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare,” – njofton Policia.
Pakoja me lëndën narkotike është sekuestroar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrjetit të përfshirë në këtë rast trafikimi dhe për arrestimin e personave të tjerë të implikuar.