
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Orkidea”, i cili kishte në fokus parandalimin dhe goditjen e një rrjeti kriminal që trafikonte vajza nga Amerika Latine për shfrytëzim në prostitucion.
Si rezultat i një hetimi disa mujor, të zhvilluar me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutuan 11 masa sigurie, ndërsa 8 persona u arrestuan dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim. Gjithashtu, 44 shtetase të huaja u proceduan penalisht për ushtrim prostitucioni.
Arrestimet dhe rolet e të dyshuarve
- E. S., 39 vjeç – Arrest me burg, dyshohet si organizator i rrjetit të trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
- E. M., 47 vjeçe – Arrest në shtëpi, e dyshuar për përfshirje në rrjetin kriminal.
- Y. G., 33 vjeçe; L. V., 23 vjeçe; N. B., 27 vjeçe; S. M., 29 vjeçe – Arrest me burg për prostitucion dhe mbajtjen e lokaleve për këtë qëllim.
- A. B., 34 vjeçe – Arrest në shtëpi, punonjëse policie e përfshirë në ndihmën për akomodimin e grave të trafikuara.
- G. R., 47 vjeçe (në kërkim) – Dyshohet si organizatore e rrjetit nga Kolumbia, në bashkëpunim me E. S. për sigurimin e kushteve për prostitucion në Shqipëri.
Detaje nga operacioni
Sipas hetimeve, G. R. drejtonte rrjetin kriminal nga Kolumbia dhe siguronte rekrutimin e grave, ndërsa E. S. kujdesej për akomodimin dhe sigurinë e tyre në Shqipëri. Po ashtu, disa shtetase kolumbiane dhe punonjësja e policisë A. B. ndihmonin në përshtatjen e ambienteve për ushtrimin e prostitucionit.
Policia vijon punën për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.