
Tiranë, 23 Tetor 2025 – Finalizohet operacioni policor i koduar “Expiration”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), për të parandaluar tregtimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore të skaduara.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi E.D., 35 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnje, i dyshuar se ka shitur një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore për mbrojtjen e bimëve, të cilave iu ka shtyrë afatin e skadencës me 1 vit më shumë se ai i miratuari nga Ministria e Bujqësisë.
Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë Krujë, u gjetën produkte bujqësore me afat përdorimi 2 vjet, të cilave shtetasi i kishte vendosur etiketa të reja që shënonin 3 vjet nga data e prodhimit. Po ashtu, policia sekuestruar qindra etiketa të manipuluara.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.



