
KF Tirana i ka besuar sërish “timonin” Orges Shehit, duke rikthyer në stol trajnerin që la gjurmë në vitet e fundit me bardheblutë. 48-vjeçari zë vendin e Ardian Nuhiut, i cili mbylli me konsensus bashkëpunimin me klubin pas humbjes ndaj Teuta Durrës.
Shehi bëhet trajneri i katërt i Tiranës në këtë sezon, pas Vangjel Miles, Roberto Bordin dhe Nuhiut – një tregues i luhatjeve të forta që kanë shoqëruar ekipin kryeqytetas.
Rikthim në shtëpi
Rreth dy vite e gjysmë pas ndarjes, palët janë bindur të bashkëpunojnë sërish në një nga momentet më delikate të bardhebluve, që aktualisht ndodhen në zonën e rënies nga kategoria, me 33 pikë ende në lojë deri në fund të kampionatit.
Që nga viti 2021, Shehi ka qenë një nga figurat më të rëndësishme në ringritjen e Tiranës. Nën drejtimin e tij, skuadra fitoi një titull kampion, një Superkupë të Shqipërisë dhe arriti në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në sezonin e fundit, Tirana e mbylli kampionatin si nënkampione me pikë të barabarta me Partizani Tiranan, në një garë të luftuar deri në javën e fundit.
Statistika që japin shpresë
Shehi mban mesataren mbresëlënëse prej 1.85 pikësh për ndeshje dhe është trajneri më jetëgjatë në historinë e fundit të klubit, me 981 ditë në stol. Në 120 ndeshje të drejtuara, ai ka regjistruar 66 fitore, 24 barazime dhe 30 humbje – shifra që e rendisin ndër teknikët më të suksesshëm të viteve të fundit në futbollin shqiptar.
Tashmë, sfida e tij është e qartë: të ndryshojë fatin e Tiranës dhe ta largojë ekipin nga zona e rrezikut, duke rikthyer stabilitetin dhe rezultatet pozitive në një sezon që ka qenë ndër më të trazuarit për bardheblutë.






