
Tirana do të bëhet sërish qendra e bashkimit të shqiptarëve nga e gjithë bota, duke mirëpritur Samitin e IV të Diasporës në datat 14, 15 dhe 16 prill.
Ky event do të mbledhë bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por që ruajnë lidhjet me Shqipërinë dhe kontribuojnë në zhvillimin e saj.
Ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet më 13 prill, në orën 18:00, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke shënuar hapjen simbolike të aktivitetit.
Mbrëmja do të shoqërohet me muzikë shqiptare dhe do të shërbejë si një pikëtakim për të reflektuar mbi identitetin dhe kujtesën e përbashkët.
Gjatë ceremonisë do të vlerësohen figura dhe histori frymëzuese, si nga diaspora shqiptare ashtu edhe nga të huaj që kanë kontribuar në promovimin e Shqipërisë.
Organizatorët theksojnë se ky event synon të forcojë lidhjet mes shqiptarëve kudo që ndodhen, duke promovuar vlerat, kulturën dhe bashkëpunimin.
Motoja e këtij viti, “Shqipëria një dhe e pandarë”, simbolizon unitetin dhe përkatësinë e përbashkët të shqiptarëve në mbarë botën.






