
Tensione dhe përplasje janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku aktivistë dhe mbështetës të Adriatik Lapaj po protestonin përpara godinës së Kryeministrisë.
Situata u tensionua kur forcat e policisë ndërhynë për të larguar kartonët, karriget dhe sendet e tjera që protestuesit kishin vendosur në trotuar.
Nga pamjet e publikuara në vendngjarje shihet se një numër i konsiderueshëm efektivësh kanë prishur strukturat e improvizuara dhe kanë marrë sendet e vendosura nga protestuesit, duke i ngarkuar në një mjet të policisë për t’i larguar nga zona.
Në momentin kur kryeministri Edi Rama është larguar nga ambientet e Kryeministrisë, protestuesit e grumbulluar në bulevard kanë thirrur në kor slogane kundër tij.
Gjatë ndërhyrjes së policisë është shoqëruar në komisariat një prej aktivistëve. Pas këtij momenti, Adriatik Lapaj së bashku me mbështetësit e tij janë drejtuar drejt Komisariatit të Policisë nr.1 në Tiranë, ku po qëndrojnë në shenjë proteste.
Protesta e Lapajt nisi më 8 dhjetor, kur ai vendosi të qëndrojë në mënyrë simbolike në bulevard përpara zyrës së kryeministrit. Më pas, atij iu bashkuan mbështetës të lëvizjes politike “Shqipëria Bëhet” dhe aktivistë të tjerë.
Edhe këtë mbrëmje ndërhyrja e policisë për të larguar materialet e vendosura nga protestuesit shkaktoi tensione, ndërsa situata u zhvendos më pas përpara Komisariatit nr.1.



