Një hapësirë unike dhe e gjelbër, e dedikuar librit, është instaluar në Sheshin “Nënë Tereza”. “Tirana Moons” ofron një ambient publik ku qytetarët mund të vizitojnë, të lexojnë dhe të kontribuojnë vetë, duke sjellë libra dhe shënime personale për të frymëzuar të tjerët.

Arkitekti i veprës, Chris Precht, shpjegoi se biblioteka është ende në krijim dhe ftoi qytetarët ta pasurojnë atë me libra:

“Është një bibliotekë që vazhdon të krijohet, ju kërkoj të sillni një libër, një libër që ju frymëzon, të shënoni diçka personale, që të frymëzojë dikë tjetër, një bibliotekë nga njerëzit për njerëzit.”

 

Kryeministri Rama viziton hapësirën

Kryeministri Edi Rama ishte një nga vizitorët e parë të hapësirës dhe falënderoi të gjithë për kontributin e tyre:

“Faleminderit të gjithëve që jeni këtu pas një dite të gjatë e mjaft të bukur. Ishte privilegj të isha pjesë e saj, është kënaqësi që të jem edhe këtu e të ndaj me ju një moment që është shumë i rëndësishëm për Krisin… Ju lutem sillni më shumë libra. Është kaq mirë të kesh, jo vetëm libra, por libra të cilët dhurohen nga njerëz që duan të japin diçka për kënaqësinë e tyre.”

Rama gjithashtu theksoi se hapësira është vetëm fillimi dhe se në të ardhmen do të integrohet me projekte të tjera për qytetin, duke përfshirë edhe parking nëntokësor dhe hapësira të tjera publike.

Një projekt ndërkombëtar me mjeshtra shqiptarë

Precht përmendi edhe kontributin e mjeshtrave shqiptarë në ndërtimin e veprës:

“Krisi më tha që në Shqipëri ka gjetur disa mjeshtra të punimit të drurit e për të ishte një surprizë e madhe. Në Shqipëri gjen gjithçka. Është thjesht çështje se kur.”

“Tirana Moons” është një bibliotekë dinamike dhe interaktive që synon të bëhet një destinacion i veçantë për qytetarët dhe vizitorët, duke e kombinuar artin, gjelbërimin dhe pasionin për leximin në një hapësirë publike unike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu