Shqipëria renditet mbi mesataren ndërkombëtare për rezultatet e nxënësve të klasave të katërta në matematikë dhe shkencë.
Vlerësimi ndërkombëtar TIMSS që realizohet një herë në katër vite e rendit vendin tonë në listën e 14 shteteve me rezultate në rritje në matematikë dhe në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në shkencë.
Shqipëria për herë të parë shënoi një rezultat prej 512 pikësh në Matematikë. 9 pikë mbi mesataren ndërkombëtare.
Vlerësimi përfshiu në vendin tonë 200 shkolla dhe 5143 nxënës të klasës së katërt dhe u zhvillua për herë të parë në format digjital.
Nxënësit shqiptar renditën vendin të 33 nga 58 shtete duke lënë pas shtete si Kanadaja, Spanja, Belgjika, Franca, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja-Hercegovina.
8% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin e avancuar të aftësive, duke tejkaluar mesataren ndërkombëtare prej 7%.
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme me rezultatet e TIMSS 2019, 14 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 22 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve.
Shqipëria u cilësua si një ndër shtetet me rritjen më të lartë të pikëve në lëndën e Matematikës, me 18 pikë më shumë.
Shqipëria arriti një rezultat prej 491 pikësh në Shkencë, me një rritje prej 2 pikësh në raport me vitin 2019, vetëm 3 pikë nën mesataren ndërkombëtare prej 494 pikësh.
Vendi ynë u rendit I 34 duke lënë pas shtete si Belgjika, Franca, Qiproja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina.
Nga 49 shtete me rezultate të krahasueshme, me rezultatet e TIMSS 2019, 15 prej tyre kanë rritje të rezultateve të TIMSS 2023, 21 shtete nuk kanë ndryshim në rezultate, ndërsa 13 shtete kanë rënie të rezultateve. Shqipëria është në listën e 15 shteteve me rezultate në rritje në Shkencë.
Shqipëria u bë pjesë e TIMSS për herë të parë në vitin 2019 dhe rezultatet e fundit pasqyrojnë progres të qëndrueshëm dhe një angazhim për të përmirësuar cilësinë e arsimit. / abcnews.