“Mos shko në Shqipëri, nuk është vend i sigurt”. Kjo ishte këshilla që i dhanë vite më parë miqtë, Alyne Tamir, blogeres së njohur nga DearAlyne.
“Kjo është hera ime e pestë në Shqipëri dhe mund të them se tashmë është një nga vendet e mia më të dashura”, shprehet ajo në një video të saj në TikTok, që ka marrë më shumë se 1.5 milionë shikime dhe mbi 82 mijë pëlqime.
Videot si ajo e Alyne janë të pafundme në TikTok, një nga rrjetet sociale më të mëdha në botë me 1.6 miliardë përdorues. Platforma është pushtuar nga postime të turistëve të huaj, blogerëve apo edhe nomadëve dixhitalë që kanë vizituar Shqipërinë dhe tregojnë përvojën e tyre.
Videot janë në gjuhë të ndryshme dhe me arsye të ndryshme përse duhet vizituar Shqipëria sipas tyre, duke u bërë një ndër reklamuesit më të mëdhenj të vendit tonë në audiencën globale.
Nëse pesë vite më parë, Ayline nuk para shihte video në TikTok për Shqipërinë, tani në maj 2024 ajo do të gjente më shumë se 3.8 milionë postime me hashtag #albania, një pjesë e mirë e tyre të postuara nga turistë të huaj që tregojnë përvojën në Shqipëri.
“Jam shumë e lumtur që tani, vite më vonë, shoh në TikTok eksperiencat e mrekullueshme që njerëzit po kalojnë në Shqipëri”, -vazhdon të thotë blogerja në videon e saj.
Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po zë vend në radhët e destinacioneve më të përmendura në TikTok, duke ua kaluar jo vetëm fqinjëve, por konkurron denjësisht me Italinë dhe Greqinë, apo dhe me destinacione të tjera popullore globale.
Shqipëria ka shënuar rritje të përshpejtuar në aktivitetin e saj në platformën e TikTok-ut. Sot ka më shumë se 3.8 milionë video të postuara dhe rreth 108.5 miliardë shikime nën hashtagun #albania, sipas të dhënave që publikohen nga FastMoss.
Për krahasim, me hashtagun #Italy janë postuar 16 milionë video, me 150 miliardë shikime në total.
#greece ka rreth 5 milionë postime, ndonëse ka më shumë postime se vendi ynë #greece ka më pak shikime, me vetëm 59 miliardë.
Edhe pse Italia, me 2.7 milionë përdorues aktivë, dhe Greqia, me rreth 3.8 milionë përdorues aktivë, kanë numra më të lartë të postimeve dhe shikimeve, Shqipëria, me 1.5 milionë përdorues ka arritur të konkurrojë me sukses duke u mbështetur në krijimtarinë lokale dhe në interesin e huajve për vendin.
Italia ka Koloseun, Greqia ka Akropolin, por dhe Shqipëria po tërheq vëmendjen si një destinacion i pazbuluar, që konkurron për antikitetin me këto dy shtete, me bukuri natyrore të shumëllojshme, çmime të lira e njerëz mikpritës.
Nëse bëhet renditja e shikimeve për një postim, vendi ynë ka mesatarisht 28 mijë shikime/postim, tre herë më shumë se Italia (rreth 9.3 mijë).
Në këtë tregues, Shqipëria ia kalon dhe Francës që ka rreth 16 mijë shikime për një postim, apo dhe Tajlandës, 14.6 mijë.
Kroacia, një destinacion turistik i njohur në rajon, #croatia ka rreth 1.5 milionë postime, me 28.1 miliardë shikime, ndërsa #serbia ka rreth 1.5 milionë postime, me 35.5 miliardë shikueshmëri.
Kosova, megjithëse me një popullatë të vogël, ka 875 mijë postime dhe 32.5 miliardë shikime nën hashtagun #Kosovo, një pjesë e të cilave janë të lidhura dhe me konfliktet me Serbinë.
#macedonia ka 432 mijë poste dhe 8.9 miliardë shikime dhe #montenegro, 324 mijë postime dhe 6.2 miliardë shikime
TikTok-u po shndërrohet në një mjet të rëndësishëm për promovimin dhe shfaqjen e pasurisë kulturore dhe natyrore, ku “aktorët” kryesorë mbeten të huajt që vijnë në Shqipëri për turizëm, për të jetuar përkohësisht, apo dhe për të bërë biznes.
Gianni Cersósimo, eksperte e turizmit nga Spanja, në një video në TikTok, e përshkruan me emocion udhëtimin e saj në Shqipëri.
“Për sa i përket peizazhit, është një kombinim i Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
Ka një histori vërtet magjepsëse që, me të kaluarën e afërt komuniste, e bën tepër intriguese”, – tha ajo Në rrugët e Tiranës, gjatë bisedave me turistët nga Spanja, më së shumti të bën përshtypje që të gjithë (rreth 30 turistë) kanë dëgjuar për vendin tonë nga TikTok.
“Që nga viti 2022 dhe e tërë vera e 2023, TikTok im është pushtuar nga video të ndryshme mbi Shqipërinë. Dhe më ngjalli shumë kureshtje.
Pagova biletën time për vetëm 60 euro, vajtje-ardhje, dhe do të qëndroj 5 ditë. Vendimi më i mirë që mora” – shprehet Leticia nga Barcelona.
Brezi i ri i shqiptarëve dhe të huajve që jetojnë në këtë vend po kapërcejnë kufijtë e traditave të mediave sociale tradicionale dhe po e zbulojnë veten në këtë platformë të re.
Si rezultat, përmbajtja që vjen nga Shqipëria ka filluar të jetë e shumëllojshme dhe e pasur në kreativitet.
A është gati vendi për bumin nga TikTok?!
Shqipëria pas verës së 2023 u bë një burim polemikash pasi një sërë influencuesish kritikuan cilësinë e vendit si një destinacion pushimesh. Ankesa e tyre? Jo çdo gjë ishte si në TikTok.
Një studim i fundit nga MGH, agjenci marketing e specializuar vetëm për turizmin, pasqyron se si kjo platformë mund të shkaktojë një rritje të papritur të numrit të njerëzve që vizitojnë një vend të caktuar.
“Ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, TikTok promovon videot që gjenerojnë ndërveprime të shpejta; kjo mund të çojë në popullaritetin e papritur të një destinacioni dhe të shkaktojë probleme të ngopjes në vendet e destinuara për turma shumë më të vogla.
Dhe për disa, Shqipëria mund të mos ketë qenë gati për një vëmendje kaq të madhe”, – thuhet në raport.
Rrjeti social mund ta kthejë një vend shumë shpejt në një trend, por kjo gjë mund të shkaktojë probleme për shtete që nuk janë të përgatitura për flukse të mëdha.
Sipas MGH, turizmi është një motor i mirë ekonomik, por vendi duhet të përgatitet për të mirëpritur flukset e udhëtarëve.
“Punimet duhet të kenë përfunduar, strukturat e nevojshme duhet të jenë gati, marrëveshjet midis aeroportit dhe operatorëve duhet të jenë mbyllur, trafiku duhet të jetë menaxhuar, transporti publik duhet të jetë në gjendjen më të mirë. Këto duhet të ndodhin para se influenceri i parë i TikTok të mbërrijë”, – shkruhet në raport
Shifrat, deri tani, shfaqin krejt të kundërtën, Shqipëria po tregon se është gati (natyrisht që ka vend për përmirësime, por vizitorët e saj po mbeten të kënaqur).
Kanë kaluar 5 muajt e parë dhe sektori ka arritur shifra të paprekura më parë, me një numër rekord vizitorësh, por edhe me një numër në rritje të kontratave me garanci dhe tregjeve të reja, që kanë hyrë në rrugën drejt konsolidimit.
Në vetëm tre muajt e parë, mbi 1.5 milionë të huaj hynë në Shqipëri, duke shënuar rritje me 43.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse në 2023, vendi mirëpriti mbi 10 milionë vizitorë, këtë vit parashikohet të thyhet një tjetër rekord.
Sezoni që kemi përpara pritet të jetë edhe më mirë sesa vera e vitit të shkuar në numrin e turistëve. Paralajmërimin për këtë po e japin shifrat e lartpërmendura, por edhe vëmendja e shtuar në rrjetet sociale.
Shqipëria, jo si në imazhet e filmave
Filmi “Taken”, seriali “Blacklist”, apo “Bones” e të tjerë me aksion kanë sekuenca ku shqiptarët përmenden si rrëmbyes, terroristë, trafikantë e të tjerë.
Në vite, imazhi i Shqipërisë është lidhur me trazirat, që nga koha e piramidave, apo dhe lufta, nga konfliktet në Kosovë.
Perceptimi se Shqipëria është një vend i pasigurt duket edhe nga videot në TikTok, ku shpesh elementi i parë që theksojnë ata që vizitojnë Shqipërinë është se qenka një vend i sigurt.
“Jemi në Tiranë, këtu të vjedhin portofolin”, thotë me ironi Sergio nga Italia, duke hedhur vetë portofolin në tokë. Në video pas tij shfaqet një qytetar, që e merr portofolin nga toka dhe ia jep Sergios.
Dalëngadalë Shqipërisë po i largohet stigma e të qenët një vend i rrezikshëm, nga krimi i organizuar dhe turistët janë në fakt ata që po i ndryshojnë imazhin vendit.
Sa shumë italianë
“Sono un/a italiano/a in Albania”. Është kjo fjalia e parë me të cilën fillojnë shumë video në TikTok. Të rinj, të reja, çifte, familjarë nga shteti fqinjë, që jetojnë e punojnë ose e vizitojnë vendin për turizëm dokumentojnë pothuajse çdo hap në videot e TikTok.
“Me anë të një video në TikTok, Leona, një nga turistet e shumta nga Italia, tregon përvojën e saj në Shqipëri. Ajo e nis videon me shprehjen “TikTok nuk na ka gënjyer për Shqipërinë.
Është me të vërtetë vendi i përsosur për të kaluar fundjavën. Më duhet të shtyj fluturimin, dy ditë janë të pamjaftueshme. Ka qenë një fundjavë e përsosur nga Tirana deri në Ksamil, nuk jam gati të largohem nga ky vend”, – shprehet Leona.
Video të shumta nuk janë vetëm nga turistët italianë, por edhe nga ata që kanë vendosur të nisin një biznes në vendin tonë.
Videot e Roberto Mazzukos, që ofron shtëpi në Shqipëri me vetëm 10 mijë euro, janë bërë virale në TikTok.
Ndonëse italiani me ironi jep çmime absurde, ai tregon për audiencën e tij mundësitë e shumta që të huajt kanë në pasuri të paluajtshme këtu. Në shumë video, ai tregon pse duhet të investoni në blerjen e një shtëpie apo çmimet konkurruese të tregut shqiptar për audiencën italiane.
Roberto promovon biznesin dhe punën e tij me video në TikTok, duke treguar numrin e shumtë të turistëve, si dhe ekonominë në zhvillim të Shqipërisë.
“Shqipëria nuk ka turistë! Prandaj, unë do të qëndroj sot në Sheshin Skënderbej me orë të tëra dhe nuk do takoj asnjë të huaj” – ironizon Roberto. Më pas, në videon e tij shfaqen turistë të shumtë nga kombësi të ndryshme të më shumë se katër kontinenteve.
Nuk qëndrova shumë në shesh, vetëm 30 minuta dhe nuk gjeta asnjë shqiptar, veç të huaj”, – thotë ai në fund të videos.
Biznes përmes TikTok
Dario dhe Alessandro, para 6 vitesh, kuptuan potencialin e lartë që mund të ofronte Saranda.
Dy djemtë nga Italia u zhvendosën në Shqipëri dhe hapën agjencinë e tyre turistike, “Elite Agency”, ku ofrojnë ture të ndryshme, më së shumti të fokusuar në zonën e jugut.
Në vitet e fundit, ata kanë postuar video të ndryshme në TikTok ku promovojnë turet që ata ofrojnë, por edhe vendin tonë, që sipas tyre, kanë sjellë sukses në biznes.
Falë disa videove që u bënë virale, muajt e fundit kemi pasur rritje të thirrjeve dhe kërkesave për këtë verë, shprehen për “Monitor” djemtë e “Elite Agency”.
Në një botë ku imazhi është gjithnjë e më i rëndësishëm, promovimi i Shqipërisë në TikTok po shërben si një mjet i fuqishëm për tërheqjen e turistëve.
Me përmbajtjen e tyre të freskët dhe tërheqëse, Tiktoker-at po ndihmojnë në përhapjen e reputacionit të Shqipërisë si një destinacion i pazakontë për aventurierët dhe kërkuesit e emocioneve të reja.
Një tjetër faktor i rëndësishëm në promovimin e Shqipërisë në TikTok është eksplorimi i destinacioneve të ndryshme turistike në të gjithë vendin.
Krijuesit e përmbajtjes kanë shfaqur bukurinë e qyteteve bregdetare të Sarandës dhe Vlorës, pasurinë kulturore të qyteteve historike të Gjirokastrës dhe Beratit, si dhe aventurat e natyrës në zonat malore të Thethit dhe Valbonës.
Ky diversitet i përmbajtjes ka bërë që Shqipëria të paraqitet si një destinacion i parezistueshëm për t’u eksploruar për të gjithë vizitorët me potencial.
Një tjetër strategji ka qenë përdorimi i hashtag-eve të përshtatshme për të rritur shikueshmërinë dhe ndjekësit në TikTok.
Përmes hashtag-eve si #VisitAlbania, #ExploreAlbania dhe #AlbanianCulture, përmbajtja lidhur me Shqipërinë është bërë më e lehtë për t’u gjetur dhe për t’u shpërndarë në mënyrë organike në platformën sociale.
Plazhet shqiptare “Maldivet e lira të Europës”
Videot e TikTok që shfaqin Rivierën Shqiptare janë parë më shumë se 230 milionë herë. Vetëm videot për Ksamilin janë të pafundme në këtë aplikacion duke krahasuar plazhin shqiptar me atë të Maldiveve.
“Parajsa e fshehur mbi tokë, një version më pak i vizituar i Maldiveve, që jo vetëm se është më i lirë ekonomikisht, por është më i qetë dhe më pak i ngarkuar me vizitorë”, – shprehet Jen, një Tiktoker që filmon udhëtimet me familjen e saj.
Por Riviera jonë nuk përfaqësohet vetëm me Ksamilin, por edhe me bregdetet e tjera që janë po aq fantastike.
Në TikTok ka 12.7 mijë video me #Ksamil me më shumë se 121 milionë shikime. Nëse e krahasojmë me bregdetet e tjera të famshme në rajon, shohim që është një nga hashtag-et më të përdorura me më shumë shikime.
Ishulli i Brač, i listuar si një nga vendet me plazhet më të bukura në Europë nga revista amerikane e turizmit “Condé Nast Traveler”, ka vetëm 4.8 mijë video dhe 21.3 milionë shikime.
Këtë gjë e shohim edhe me hashtag-un e Sveti Stefan, një nga zonat më të mëdha bregdetare në Mal të Zi, që revista e mësipërme e shpall si një nga plazhet më popullore në Europë.
#SvetiStefan ka rreth 5 mijë video dhe 54.8 milionë shikime në aplikacionin TikTok.
Çmimet e lira, faktor kryesor i promovimit tek audienca e re
Disa atribute që e dallojnë TikTok nga rrjetet e tjera sociale janë viraliteti i tij dhe lloji i përdoruesve. Një nga faktorët kryesorë të TikTok është audienca, e cila është e re.
Vendet që mund të klasifikohen si më të lira dhe më të lehta për t’u vizituar përshtaten më mirë me përdoruesit e këtij rrjeti social.
Një faktor tjetër nxitës i kërkesës, që është një nga promovuesit kryesorë edhe në videot e TikTok janë çmimet e ulëta të Shqipërisë.
“Është me të vërtetë një nga destinacionet e fundit me të vërtetë të lira në Europë”, – tregon Bruna Peirira nga Portugalia.
“Ju mund të gjeni një vakt me tre pjata për 10-15 € në disa vende. Një gotë verë kushton vetëm 2 € dhe një birrë 1,50 €. Nuk mendoj se këtë mund ta gjeni më në vendet e tjera”, thotë e befasuar portugezja.
Në “Skyscanner”, platforma më e madhe e prenotimeve të fluturimeve në botë, fluturimet për në Tiranë fillojnë nga 27 euro deri në 180 euro vajtje-ardhje gjatë sezonit turistik.
Në një kërkim në Booking ose në Airbnb mund të gjejmë akomodim për më pak se 20 euro/nata në apartamente mjaft të rehatshme, për të kaluar pushimet.
Por supermarketet janë të shtrenjta
Por nëse çmimet në restorante, fluturime apo në akomodim turistëve u duken të lira, për çmimet e produkteve në supermarkete, ata mendojnë ndryshe.
Zee Jay, një nënë e re britanike ndan jetën midis Tiranës dhe Londrës pasi ajo dhe vajza e saj ranë në dashuri me Shqipërinë që nga vera e vitit 2023.
Edhe pse zakonisht tregon anën më të mirë të Shqipërisë, një pikë që ajo vetë e quan jo shumë pozitive është edhe çmimi i lartë dhe i ngjashëm me Britaninë e Madhe të ushqimeve në supermarket.
Në një nga videot e saj më të ndjekura, znj. Jay tregon listën e ushqimeve që ajo blen për të përgatitur një mëngjes.
“Ne blemë sot 10 kokrra vezë, disa banane, salsiçe, bukë dhe portokall. Ndonëse supermarketi që zgjodha sot është pak më i shtrenjtë, çmimi për të gjithë artikujt e mësipërm arriti në 14 paund. Mendoj se këtë shumë do paguaja edhe në Londër”, – shprehet disi e zhgënjyer ajo.
Mikpritja e shqiptarëve, në sfidën e tiktokerave
Mikpritja dhe gjestet e vogla miqësore të banorëve vendas janë një temë e përsëritur në videot e TikTok-ut. Shumë krijues të përmbajtjes kanë ndarë përvojat e tyre personale me mikpritjen dhe bujarinë e shqiptarëve duke nxitur edhe më shumë udhëtarë të vizitojnë vendin.
Një shembull i tillë është Eliezer Tymnik nga Brazili. Në një video në TikTok-in e tij, ai shpjegon se Shqipëria mund të vizitohet me 10 euro në xhep dhe në fund del me 20 euro më shumë.
Eliezer tregon për mikpritjen e shqiptarëve, duke thënë se ata ishin shumë miqësorë dhe i ofronin ushqim, strehë si dhe transport falas, vetëm nëse ai pyeste.
Ai shpreh admirimin për faktin se shqiptarët, edhe kur nuk e kuptonin se çfarë u thoshte, përpiqeshin shumë për ta ndihmuar.
Eliezer tregon se si ndalonte makina të ndryshme në rrugë dhe në 90% të rasteve shoferët shqiptarë e çonin deri te vendi që ai kishte nevojë, në këmbim të asnjë leku.
Nëse ka një vend që e përfaqëson fjalën “mikpritje dinjitoze”, ai është Shqipëria, shprehet ai.
Në TikTok, një foto e bukur ose një video e shkurtër mund të bëjë mrekulli për të tërhequr vëmendjen e një audience të gjerë. Në këtë rrafsh, përvoja personale e udhëtarëve të huaj është një burim i pasur i inspirimit për të tërhequr vëmendjen në Shqipëri.
Citimet e tyre mund të jenë një mjet i fuqishëm për të përshkruar emocionet dhe mrekullitë që Shqipëria ofron.
Miqësia e vendasve është vënë në provë edhe nga shumë tiktoker të tjerë. Një prej tyre ishte Chris Borg nga Malta, i cili u la telefonin dhe portofolin miqve të vet dhe kërkoi ndihmë nga shqiptarët për të udhëtuar nga Tepelena në Elbasan.
Në një ditë të vrenjtur me shiun në prag në një fshat të Tepelenës, Chris filloi rrugëtimin e tij për t’u kthyer në Elbasan.
Ai u kërkoi banorëve të zonës ndihmë për të shkuar në Fier në fillim, më vonë në Tiranë dhe më pas në Elbasan, dhe gjatë rrugës, qytetarë të ndryshëm e ndihmuan dhe i dhanë për të ngrënë dhe para për të paguar autobusin nga Tirana në Elbasan.
Madje, një prej tyre i hapi dyert e shtëpisë për t’i ofruar strehë. Chris në videon e tij u tregon 90 mijë personave miqësinë dhe bujarinë e shqiptarëve.
Shqipëria, trend në TikTok jo vetëm nga turistët, por edhe nga të huajt që jetojnë në vendin tonë
Në ditët e sotme, një trend që po përhapet me shpejtësi në platformën sociale, TikTok, ka të bëjë me të huajt që jetojnë në këtë vend të vogël në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.
Shqipëria është bërë jo vetëm një shtëpi e re, por edhe një burim frymëzimi për krijimtarinë në këtë platformë.
Përmes bashkëpunimeve, komenteve dhe ndjekësve të tyre, ata po kontribuojnë në përditësimin e imazhit të vendit dhe në ndërtimin e një imazhi pozitiv në skenën ndërkombëtare.
Anita Hendrieka erdhi në Shqipëri në vitin 2017 dhe u zhvendos në Sarandë. 28-vjeçarja nga Zelanda e Re jeton në Shqipëri prej më shumë se 7 vjetësh si nomad dixhital.
“Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia ime e dytë” – shprehet Hendrieka.
Postimi në blogun e saj për Shqipërinë ka marrë më shumë se 1.1 milionë shikime. Sipas Anitës, kjo tregon se njerëzit kanë interes për ta vizituar vendin dhe është fatkeqësi që shumë njerëz mendojnë se nuk është një shtet i sigurt.
Dario dhe Alesandro nga “Elite Agency” tregojnë se kombinimi unik i bukurisë natyrore, pasurisë kulturore, pritjes së ngrohtë, si dhe përvoja e tyre shumëvjeçare, bëjnë që biznesi i tyre të jetë i suksesshëm.
“Saranda dhe Shqipëria në përgjithësi janë vendet ideale për të zgjeruar biznesin dhe për t’u ofruar miqve tanë përvoja të paharrueshme,” shprehen ata.
Ata tregojnë se rrjetet sociale, kryesisht TikTok, i kanë ndihmuar shumë për të bërë të njohur biznesin e tyre dhe për të bërë të njohur Sarandën dhe Shqipërinë për një audiencë të gjerë.
“Mediat sociale, si TikTok, janë një përforcues shumë i fuqishëm i cili, për bizneset e vogla dhe të mesme, përfaqëson vlerë të shtuar për promovim.
Thjesht duhet të dini se si t’i përdorni ato dhe të filloni nga një rrjet i fortë dhe i dendur kontaktesh,” deklarojnë Dario dhe Alesandro./ Monitor