Grupi i mirënjohur i tifozëve shqiptarë “Tifozat Kuq e Zi” ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e Shqipërisë më 7 qershor 2025. Kjo është vetëm hera e dytë në 21 vite që TKZ mungojnë në mbështetje të Kombëtares – hera e parë ka qenë më 14 tetor 2014, në Beograd, për arsye politike.

Në deklaratën e tyre, TKZ kritikojnë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke e akuzuar për përjashtim të qëllimshëm të tifozëve të vërtetë përmes një “shorti” të rremë për biletat e ndeshjes. Sipas tyre, ky sistem favorizon agjencitë turistike dhe rrit çmimet në tregun e zi, duke e kthyer futbollin nga një ngjarje popullore në një luks për të pasurit.

> “Ky sistem është ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme,” thuhet në reagimin e TKZ. “Futbolli është kthyer në një event ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro.”

 

Ata theksojnë se një familje shqiptare mesatare nuk ka më mundësi të ndjekë nga afër Kombëtaren dhe akuzojnë FSHF-në për një politikë përjashtuese që largon tifozët besnikë për t’u lënë vendin interesave komerciale dhe politike.

> “Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm BESNIKËT e përjetshëm JO.”

 

Në fund të reagimit, TKZ theksojnë se, ndonëse nuk do jenë fizikisht në stadium, mbështetja e tyre për Kombëtaren mbetet e palëkundur, ndërsa i bëjnë thirrje publikut që të reflektojë mbi drejtimin që ka marrë futbolli shqiptar nën drejtimin e FSHF-së.

Kjo mungesë e pazakontë e një prej grupeve më të zjarrtë të tifozëve ngre pikëpyetje të forta për mënyrën se si po menaxhohet marrëdhënia me ata që prej dy dekadash kanë qenë zëri dhe zemra e tribunave shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu