
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar një tjetër vit rekord sa i përket trafikut ajror. Sipas statistikave të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza përpunoi 11.6 milionë pasagjerë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 8.7% krahasuar me vitin 2024 dhe duke u renditur në vendin e parë në rajon.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se zgjerimi i rrjetit ajror ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë performancë.
Gjatë vitit 2025, aeroporti shtoi 15 destinacione të reja dhe 7 linja ajrore partnere, një zhvillim që pritet të forcojë më tej pozicionin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme transporti dhe turizmi në rajon.
Rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve reflekton jo vetëm kërkesën në rritje për udhëtime, por edhe zgjerimin e ofertës së fluturimeve, duke e kthyer TIA-n në një nga aeroportet me ritmet më të shpejta të zhvillimit në Evropën Juglindore.



