
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar për incidentin në Kumanovë, ku ndeshja e basketbollit u dominua nga kore raciste.
“Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri. Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne.
Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, thotë ai.
Pas gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, Federata e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut tha se distancohet dhe dënon sjelljen jo të hijshme “të një pjese të vogël të tifozëve në ndeshjen Maqedoni – Rumani”.
Sipas Federatës së Basketbollit, veprime të tilla nuk përfaqësojnë frymën, vlerat dhe identitetin e federatës, as nuk pasqyrojnë shumicën e tifozëve, të cilët do të jenë gjithmonë shembull i kulturës dhe mbështetjes sportive.
“Sloganet nacionaliste, gjuha e urrejtjes dhe nxitja e intolerancës nuk kanë vend në tribuna, as në sport në përgjithësi. Federata u bën thirrje të gjithë tifozëve të përmbahen nga veprime të ngjashme në të ardhmen dhe të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere pozitive, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse në stadiume dhe salla”.
Gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje me gjuhë urrejtjeje dhe raciste kundër popullit shqiptar shqiptarëve.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, thërrisnin një pjesë e tifozëve në tribunë.
Të pranishëm ishin personalitete të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.