
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një rasti ndërtimi pa leje në qendrën e Thethit, duke denoncuar publikisht veprimet e një ndërtuesi që, sipas tij, ka betonizuar një zonë të mbrojtur brenda Parkut Kombëtar. Rama shprehet se ky ndërtim i paligjshëm përbën një “krim të shumëfishtë” ndaj natyrës dhe komunitetit të Thethit, ndërsa akuzon prokuroren Elsa Gjeli për mosveprim ligjor.
Sipas kryeministrit, pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia e Shtetit, prokurorja Gjeli ka refuzuar hapjen e çështjes, duke e hedhur në kosh kallëzimin penal.
“Çfarë borxhi i kemi kësaj prokuroreje, që duhet të paguajmë me taksat tona për pastrimin e kësaj katrahure?”, shkruan Rama, duke shtuar se IKMT dhe forcat shtetërore po punojnë për të pastruar ndërtimet e paligjshme dhe për ta rikthyer qendrën e Thethit në gjendjen e saj natyrore.
Kryeministri thekson se autori i këtij ndërtimi nuk është shfaqur në vendngjarje, ndërkohë që institucionet shtetërore po zbatojnë ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të zonës.