
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër këtë të shtunë në lidhje me situatën në zonën turistike të Thethit, duke publikuar një video ku shfaqen forca të shumta policie të vendosura në terren dhe duke e cilësuar praninë e tyre si një “shtet-rrethim”.
Në postimin e bërë në Facebook, Berisha akuzon drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama, të cilin e etiketon si “Ramaduro”, për tensionet e krijuara në një prej destinacioneve më të njohura verore në Shqipëri.
“Thethi në shtet-rrethim! Turistët largohen në panik. Armiku më i egër i veriut, Ramaduro, i shkatërron Thethit dhe veriut turizmin,” shkruan Berisha, duke e shoqëruar reagimin me pamje nga vendngjarja.
Në videon e shpërndarë shihen dhjetëra oficerë policie në zonë, ndërsa vizitorët dhe qytetarët ndalohen të kalojnë përmes disa rrugëve lokale. Ish-kryeministri e cilëson këtë një akt presioni dhe terrori shtetëror jo vetëm ndaj banorëve, por edhe ndaj turistëve që kishin zgjedhur Thethin për të kaluar pushimet.
“Dënoj me forcën më të madhe terrorin shtetëror të Edi Ramës dhe bandave të tij me uniformë kundër banorëve të Thethit. Kjo situatë dëmton rëndë turizmin dhe ekonominë vendase në veri të vendit,” vijon më tej ai.
Reagimi i Berishës vjen mes tensioneve të vazhdueshme në Theth, ku prej disa ditësh banorët janë përfshirë në përplasje me autoritetet për çështje që lidhen me ndërtimet dhe pronësinë në zonë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për situatën e krijuar në zonën turistike.